Berisha bën sërish thirrje për bashkim të opozitës: Edhe me Arlind Qorin bashkohem
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen për bashkimin e opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se në një front të përbashkët mund të përfshihen të gjitha forcat politike, edhe ato që kanë qëndrime kritike ndaj vetë PD-së.
Gjatë një takimi me demokratët në Berat, Berisha u ndal te nevoja për të kapërcyer ndasitë politike dhe interesat partiake, duke e cilësuar largimin e qeverisë aktuale si një çështje me rëndësi kombëtare.
Në këtë kontekst, kreu i demokratëve përmendi edhe kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, duke iu përgjigjur publikisht atyre që e kanë pyetur nëse do të pranonte bashkëpunimin edhe me të.
“Edhe me Qorin do të bashkohesh? Po, po, me të gjithë. Asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim. Unë nuk do të them ndrysho platformën tënde politike. Mbaje, zotëri, e ke kundër PD-së, mbaje kundër PD-së. Po hajde, njëherë, të heqim këtë të keqe të madhe”, deklaroi Berisha.
Ai u bëri thirrje edhe drejtuesve të tjerë politikë që të mos e konsiderojnë afrimin me Partinë Demokratike si një humbje elektorale, duke argumentuar se interesi kombëtar duhet të jetë mbi kalkulimet partiake.
“Mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në. Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi qeverisjen e Ramës si një “rrezik ekzistencial” për vendin, duke akuzuar mazhorancën për ndikimin e krimit dhe drogës në nivelet e shtetit, si dhe për përdorimin e parave për të ndikuar te votuesit.
Për të argumentuar domosdoshmërinë e bashkimit, ai solli në vëmendje edhe aleancën e Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se edhe kundërshtarë të fortë mund të bashkohen përballë një rreziku që e konsiderojnë më të madh.
Kreu i PD-së foli gjithashtu për protestat dhe lëvizjet e tjera kundër qeverisë, duke thënë se demokratë të shumtë iu bashkuan edhe lëvizjeve që nuk drejtoheshin nga partia e tij, nëse ato synonin ndryshimin politik.
Në fund, Berisha e lidhi bashkimin opozitar me kërkesën për zgjedhje të lira, duke akuzuar qeverinë se përdor burime të mëdha financiare për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve.
Thirrja e tij përfshin kështu edhe forca politike që kanë pasur përplasje me PD-në, ndërsa mbetet për t’u parë nëse deklarata do të pasohet nga kontakte konkrete dhe një marrëveshje mes aktorëve opozitarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



