Një prej aktivistëve pjesëmarrës në protestën e sotme ka denoncuar përdorimin e dhunës nga Policia ndaj qytetarëve, duke theksuar se gjatë ndërhyrjes janë goditur dhe shoqëruar me forcë edhe gra e vajza që po merrnin pjesë në tubim.
Në një prononcim për News24, ai u shpreh se prej kohësh Policia po pengon grumbullimin e qytetarëve në bulevard për zhvillimin e protestave paqësore. Sipas tij, ndërhyrjet me forcë janë një përpjekje e qeverisë për të frenuar reagimin qytetar, por theksoi se dhuna nuk do të arrijë t’i ndalë protestuesit.
Aktivisti veçoi rastet e shoqërimit të grave dhe vajzave, duke nënvizuar se disa prej tyre janë marrë nga policia pa praninë e efektiveve femra dhe janë goditur gjatë ndërhyrjes.
Ai paralajmëroi se protesta do të vijojë çdo ditë, pavarësisht reagimit të forcave të rendit, ndërsa bëri thirrje për një pjesëmarrje sa më të gjerë në tubimin e 28 nëntorit. Sipas tij, kjo datë duhet të kthehet në një festë të madhe të demokracisë, ku shqiptarët të bashkohen për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre.
“Kemi bërë njoftim, mirëpo policia prej kohësh nuk lejon grumbullimin e njerëzve përballë bulevardit për protestë paqësore. Lëvizja e fundit e një qeverie të korruptuar, me gjithë dhunën ndaj qytetarëve të lirë, është mënyra e vetme për t’i mposhtur qytetarët, por nuk i mposht dot.
Ka pasur dhunë edhe ndaj vajzave dhe grave. Janë shoqëruar edhe vajza pa praninë e policeve femra. Në mënyrë të dhunshme janë goditur. Protesta do të vijojë çdo ditë. Ftojmë gjithë shqiptarët t’i bashkohen protestës dhe festës më të madhe të demokracisë më 28 nëntor.”
