Pas paralajmërimit të FBI-së për shtimin e sulmeve kibernetike, një tjetër problem teknologjik ka prekur mijëra përdorues në Shtetet e Bashkuara.
Klient të Apple në vende të ndryshme kanë raportuar probleme në aksesimin e shërbimeve dixhitale të kompanisë, përfshirë iCloud, App Store, Apple Music dhe Apple Pay. Ndërprerjet kanë prekur gjithashtu llogaritë personale, shërbimet për zhvilluesit dhe sistemet e pagesave, ndërsa vetë Apple ka konfirmuar vështirësitë përmes faqes së saj zyrtare të statusit.
Problemet më të shpeshta lidhen me hyrjen në llogaritë iCloud. Disa përdorues kanë raportuar shkëputje të papritura nga llogaritë e tyre në iPhone dhe Mac, ndërsa përpjekjet për t'u identifikuar sërish janë shoqëruar me mesazhe gabimi. Vështirësi janë raportuar edhe në shkarkimin dhe përditësimin e aplikacioneve, përdorimin e Apple Music dhe aktivizimin e pajisjeve të reja.
Sipas të dhënave të Downdetector, raportimet kanë përfshirë edhe Apple Support, Apple Business Manager dhe Apple Store. Ndërkohë, probleme janë evidentuar edhe në platformat për zhvilluesit, përfshirë App Store Connect, API-të e Apple Music dhe disa shërbime të lidhura me Apple Podcasts.
Ndërprerjet kanë shkaktuar vështirësi edhe për bizneset. Në Shtetet e Bashkuara, NBC Philadelphia raportoi rastin e një dyqani Apple ku punonjësit nuk arrinin të përfundonin shitjet për shkak të problemeve me sistemet e pagesave.
Gjatë orëve të mbrëmjes janë vërejtur shenja të para përmirësimi, me një rënie të raportimeve për Apple Pay dhe Apple Card. Megjithatë, ankesat për iCloud dhe Apple Music vijuan, ndërsa nuk kishte ende konfirmim se të gjitha shërbimet ishin rikthyer plotësisht në funksion.
Shkaku i ndërprerjes mbetet ende i paqartë. Apple nuk ka publikuar një shpjegim teknik për problemet dhe deri më tani nuk ka prova të konfirmuara që ato të jenë shkaktuar nga një sulm kibernetik./ La Repubblica
Lajmi kryesor:
FBI jep alarmin për sulme kibernetike në mbarë botën: Hakerët hyjnë në rrjete për më pak se 3 orë! Ndërprerje në shërbimet e Apple, SHBA teston edhe alarmin kombëtar të emergjencave








