Një avion ushtarak transporti është rrëzuar në Siberi të Rusisë, duke shkaktuar vdekjen e të 19 personave që ndodheshin në bord. Lajmi është bërë i ditur nga mediat shtetërore ruse, të cilat i referohen një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes.
Avioni i tipit An-12 ishte duke kryer një fluturim të planifikuar kur u rrëzua në një zonë të pabanuar në rajonin e Kemerovos. Ngjarja ka ndodhur të martën, ndërsa sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë një defekt teknik.
Guvernatori i rajonit, Ilya Seredyuk, deklaroi se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë pas aksidentit dhe arritën të shuanin zjarrin e përfshirë në vendngjarje, pranë fshatit Yagunovo.
Zona u rrethua nga forcat e policisë, ndërsa autoritetet ruse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të rrëzimit të avionit. Nga hetimet pritet të përcaktohet nëse aksidenti është shkaktuar nga një problem teknik apo nga faktorë të tjerë.
