Shpëtim Musliu, 29 vjeç, nga Kumanova, është një prej katër shtetasve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që dyshohet se janë përfshirë në një celulë të akuzuar për përgatitjen e një atentati ndaj një biznesmeni izraelit në Greqi.
Sipas informacioneve të mësuara nga korrespondenti i Top Channel, Musliu dyshohet se ishte rekrutuar për të marrë pjesë në ekzekutimin e planit, objektiv i të cilit ishte një drejtues i lartë i një kompanie izraelite në industrinë e prodhimit të armëve.
Musliu, i lindur më 21 dhjetor 1996 dhe banues në Kumanovë, është një nga personat e përfshirë në hetimet për një komplot të dyshuar terrorist, që sipas autoriteteve kishte lidhje me dy shtetas iranianë.
Sipas të dhënave të hetimit, grupi drejtohej nga Edriz Mavaneh, ndërsa njëri prej dy iranianëve, i identifikuar si Mabanex, dyshohet se siguronte financimin e operacionit, me urdhër të shërbimeve iraniane të inteligjencës.
Musliu kishte tentuar më herët të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer nga autoritetet kufitare në Evros. Në përpjekjen e dytë, ai u ndalua pasi shërbimet greke kishin marrë informacion nga homologët e tyre në Maqedoninë e Veriut për aktivitetin e dyshuar të celulës.
Autoritetet greke bëjnë me dije se grupi ishte mbajtur nën përgjim për afro një vit, ndërsa hetimet përqendrohen te përgatitjet për atentatin ndaj biznesmenit izraelit.
Pas dorëzimit të Shpëtim Musliut te autoritetet e Maqedonisë së Veriut, hetimet janë zgjeruar për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me celulën. Në fokus janë edhe kontakte të mundshme në qarqet e komunitetit mysliman në Greqi.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin të gjithë rrjetin e dyshuar, burimet e financimit dhe rolin që ka pasur secili prej personave të përfshirë. Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për dyshime që po hetohen nga autoritetet, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përmendur duhet të përcaktohet nga drejtësia.
#Greqi #MaqedoniaEVëriut #ShpëtimMusliu #Iran #Izrael #Atentat #Hetime


