Tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qytetarët vijojnë tubimin duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Situatat e tensionuara janë krijuar kryesisht në momentin kur efektivët e policisë kanë shoqëruar disa persona drejt komisariatit. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Tiranës për numrin e protestuesve të shoqëruar.
Në bulevard është dislokuar një numër i konsiderueshëm efektivësh, të cilët u kanë bërë thirrje protestuesve të mos bllokojnë qarkullimin rrugor. Për këtë arsye, qytetarët janë zhvendosur në trotuare, ndërsa tubimi vijon mes tensioneve.





