Një 64-vjeçar shqiptar, banues në Foligno të Italisë, është arrestuar në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim për vuajtjen e një dënimi përfundimtar prej katër vitesh burgim për dhunë seksuale dhe shkelje të paprekshmërisë së banesës.

Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti evropian nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Peruxhia.


64-vjeçari ishte larguar nga Italia në qershor të këtij viti, përmes portit të Ankonës, në përpjekje për t'iu shmangur vuajtjes së dënimit.

Pas hetimeve dhe shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare, u bë e mundur identifikimi i vendndodhjes së tij në Shqipëri, ku dyshohet se ishte strehuar së bashku me partneren e tij, shtetase ukrainase.

Arrestimi u realizua përmes bashkëpunimit mes Policisë italiane, strukturave të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe autoriteteve shqiptare, shkruan il Resto de Carlino, transmeton Telegrafi.

Ngjarja për të cilën ishte dënuar 64-vjeçari kishte ndodhur në korrik të vitit 2017, në Foligno.

Sipas dosjes gjyqësore, gjatë një konflikti të shkaktuar nga xhelozia ndaj partneres së tij 61-vjeçare, ai i kishte marrë telefonin për të kontrolluar mesazhet që ajo shkëmbente me një person tjetër.

Më pas, e kishte kapur nga qafa, e kishte goditur disa herë me shuplaka dhe me grusht në stomak, për t'i shqyer më pas rrobat dhe për ta detyruar të kryente marrëdhënie seksuale.

Pas arrestimit, 64-vjeçari është vendosur në paraburgim në Shqipëri, ndërsa pritet të përfundojnë procedurat për dorëzimin e tij tek autoritetet italiane, ku do të vuajë dënimin prej katër vitesh burgim./Telegrafi/