Çfarë po ndodh në SHBA? Raportohen probleme masive me shërbimet e Apple
Një valë problemesh teknike ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku mijëra përdorues kanë raportuar vështirësi në aksesimin e shërbimeve të Apple.
Ndërprerjet janë shfaqur në disa prej platformave më të përdorura të kompanisë, përfshirë App Store, iCloud, Apple Pay dhe shërbimet e mbështetjes teknike. Situata ka shkaktuar vështirësi për përdoruesit që nuk kanë mundur të përdorin normalisht disa prej funksioneve të ekosistemit Apple.
Vetë kompania ka konfirmuar problematikat përmes faqes zyrtare të statusit të sistemeve. Sipas informacionit të publikuar, ndërprerjet kanë prekur App Store, Apple Music dhe AppleCare on Device, ndërsa janë raportuar gjithashtu vështirësi me llogaritë dhe hyrjen në iCloud.
Të dhënat e platformës Downdetector tregojnë se raportimet për probleme me Apple Pay nisën të rriteshin ndjeshëm rreth orës 11:40 paradite, sipas orës lokale në SHBA. Pak më vonë, pranë mesditës, u shtuan edhe raportimet për vështirësi në përdorimin e iCloud.
Ajo që e bën më shqetësuese situatën është se kjo ndërprerje vjen në një moment kur infrastruktura dixhitale dhe shërbimet financiare në SHBA janë përballur me një seri problematikash.
Vetëm një ditë më parë, një defekt në sistemet bankare nisi në Chase Bank dhe më pas ndikoi edhe në shërbimet e Wells Fargo, Bank of America, platformën e pagesave Zelle dhe institucione të tjera financiare.
Ndërkohë, javën e kaluar, një problem në sistemet e komunikimit shkaktoi ndërprerje në trafikun ajror amerikan.
Deri në momentin e raportimit, nuk janë bërë të ditura shkaqet e plota të ndërprerjeve të fundit në shërbimet e Apple dhe as nëse ato kanë lidhje me problematikat e mëparshme që kanë prekur sisteme të tjera në SHBA.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



