Mbi 15 milionë dokumente të brendshme kanë nxjerrë në pah praktika të diskutueshme biznesi, mangësi në kontrollet e brendshme dhe marrëdhënie të Deutsche Bank me klientë të fuqishëm, mes tyre oligarkë rusë, financierin Jeffrey Epstein dhe presidentin amerikan Donald Trump.
Publikimi i materialeve ka shkaktuar një valë të re kritikash ndaj gjigantit bankar gjerman, ndërsa ministri i Financave dhe zëvendëskancelari i Gjermanisë, Lars Klingbeil, i ka kërkuar institucionit të japë shpjegime të plota dhe transparente për gjetjet.
Klingbeil theksoi se banka duhet të sqarojë se si ka trajtuar mangësitë e evidentuara më parë në sistemet e kontrollit dhe çfarë masash ka marrë për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Hetimi, i publikuar nga revista gjermane “Der Spiegel” në bashkëpunim me “Manager Magazin”, televizionin ZDF dhe media të tjera ndërkombëtare, ka analizuar më shumë se 15 milionë dokumente të brendshme. Mes tyre janë mbi 9 milionë email-e, raporte, prezantime dhe regjistrime kalendarike.
Sipas gjetjeve, punonjës të bankës kishin ngritur vazhdimisht shqetësime për klientë dhe operacione të dyshimta, por paralajmërimet e tyre në disa raste ishin shpërfillur për të mos ndërprerë marrëdhëniet tregtare.
Një pjesë e rëndësishme e dokumenteve lidhet me marrëdhëniet e Deutsche Bank me oligarkët rusë dhe planet për zgjerimin e aktivitetit në Rusi edhe pak para nisjes së luftës në Ukrainë. Këto plane vijonin pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga departamentet përgjegjëse për përputhshmërinë dhe kontrollin e rrezikut.
Dokumentet përmbajnë gjithashtu të dhëna të reja mbi marrëdhëniet e biznesit me Jeffrey Epstein dhe operacionet financiare që lidhen me Donald Trump.
Edhe “Financial Times”, i cili ka analizuar materialet në bashkëpunim me një rrjet prej më shumë se 200 gazetarësh në vende të ndryshme, raporton për probleme sistematike në menaxhim, si dhe dyshime për manipulime kontabël dhe komunikime financiare potencialisht çorientuese.
Gjetjet kanë rikthyer në vëmendje edhe drejtimin e bankës nga Christian Sewing, i cili mori detyrën e drejtorit ekzekutiv në vitin 2018 dhe është vlerësuar për përpjekjet për ta rikthyer institucionin në rrugën e përfitueshmërisë.
Deutsche Bank i ka kundërshtuar interpretimet kritike të dokumenteve, duke argumentuar se çështjet e publikuara lidhen me ngjarje të shumë viteve më parë, në disa raste edhe dy dekada më parë.
Banka deklaron se gjatë periudhës 2019–2025 ka investuar 7 miliardë euro në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, forcimin e menaxhimit të rrezikut dhe ndryshimin e kulturës institucionale. Sipas saj, nën drejtimin e Sewing, institucioni ka kaluar një transformim të thellë dhe sot është më i fortë, më i sigurt dhe financiarisht më i qëndrueshëm.
Megjithatë, publikimi i dokumenteve ka rikthyer pikëpyetjet mbi mënyrën se si banka ka menaxhuar marrëdhëniet me klientët e saj më të fuqishëm dhe nëse reformat e ndërmarra kanë adresuar realisht problemet e së kaluarës.


