Sulm kibernetik në 178 faqe globale, mes tyre CNN dhe Zoom, synon vjedhjen e të dhënave

Një sulm kibernetik në shkallë të gjerë ka ekspozuar vizitorët e faqeve të internetit të 178 organizatave në mbarë botën ndaj programeve keqdashëse, me synimin për të vjedhur kriptomonedha, të dhëna të kartave bankare dhe për të infektuar pajisjet Apple. Mes organizatave të prekura janë CNN, Zoom, HSBC, Equifax, Salesforce, IKEA dhe BBC, ndërsa sulmi ka përfshirë sektorë të ndryshëm, nga financat dhe teknologjia te media dhe tregtia me pakicë.
Sulmi është realizuar përmes Optimizely, një platformë që përdoret nga kompanitë për optimizimin, testimin dhe personalizimin e faqeve të internetit. Sulmuesit shfrytëzuan një cenueshmëri në produktin Experimentation të platformës për të injektuar kode JavaScript të paautorizuara në projektet e disa klientëve. Përmes kësaj metode, kodi keqdashës u shpërnda te vizitorët e faqeve që përdornin shërbimin, pa qenë e nevojshme që secila kompani të sulmohej drejtpërdrejt.
Sipas Reuters, studiuesi i sigurisë kibernetike Scott Helme identifikoi skriptet keqdashëse në faqet e 178 organizatave. Kodi ishte projektuar për të zëvendësuar adresat e pagesave me kriptomonedha me adresa të kontrolluara nga sulmuesit, për të regjistruar të dhënat e kartave bankare gjatë plotësimit të formularëve të pagesës, si dhe për të vjedhur skedarët e identifikimit të shfletuesit (cookies) dhe pamje të ekranit të përdoruesve.
Një tjetër objektiv i sulmit ishin pajisjet Apple. Skriptet përfshinin kode shfrytëzimi që synonin sistemin operativ iOS, përmes mjeteve Coruna dhe DarkSword, të cilat mund të përdoren për të shfrytëzuar dobësi të sigurisë në iPhone dhe iPad. Studiuesit kanë identifikuar gjithashtu prova të transaksioneve me kriptomonedha drejt kuletave të kontrolluara nga sulmuesit, megjithëse përmasat e plota të dëmit financiar nuk janë përcaktuar.
Optimizely konfirmoi se një palë e paautorizuar kishte shfrytëzuar një cenueshmëri në produktin Experimentation për të shtuar kod keqdashës në projektet e disa klientëve. Kompania deklaroi se kishte korrigjuar cenueshmërinë, hequr kodin e injektuar dhe marrë masa shtesë për sigurinë e llogarive të prekura.
Ndërkohë, Salesforce konfirmoi se po hetonte ndryshimet e paautorizuara në skriptet e Optimizely dhe i kishte çaktivizuar ato si masë paraprake. Equifax deklaroi se kishte ndërprerë përdorimin e platformës dhe nuk kishte gjetur prova për komprometimin e sistemeve të veta.
Nuk është përcaktuar ende numri i përdoruesve që mund të jenë prekur nga sulmi apo nëse të gjitha përpjekjet për vjedhjen e të dhënave kanë qenë të suksesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









