Një nga pikturat e Vincent van Gogut, e vlerësuar në 180 milionë dollarë, pritet të dalë në ankand të mërkurën në Nju Jork, pasi u arrit një marrëveshje mes pronarëve aktualë të veprës dhe trashëgimtarëve të një botuesi gjermano-hebre që e kishte shitur atë gjatë regjimit nazist.
Bëhet fjalë për veprën “Lulet e gështenjës”, të realizuar në vitin 1890 në Auvers-sur-Oise të Francës. Piktura mund të vendosë një rekord të ri në ankand për artistin holandez, duke kaluar vlerën prej 117.2 milionë dollarësh, të paguar për veprën “Pemishtja me selvi” në ankandin e Christie’s në Nju Jork, në nëntor 2022.
Çështja e pronësisë së pikturës kishte ngritur polemika për shkak të rrethanave në të cilat ajo u shit në vitin 1936 nga Samuel Fischer, botues me ndikim gjermano-hebre. Trashëgimtarët e tij pretendonin se shitja nuk ishte bërë me vullnet të lirë, por nën presionin e situatës ekonomike dhe politike të krijuar nga regjimi nazist.
Në prag të ankandit, Sotheby’s njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me pronarët aktualë të veprës, të cilët e blenë atë në vitin 1975, dhe të gjithë trashëgimtarët ligjorë të Fischer.
“Në njohje të historisë komplekse të kësaj vepre nën regjimin nazist dhe vuajtjeve të përjetuara nga familja Fischer gjatë Holokaustit, të dy familjet kanë arritur një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët”, deklaroi shtëpia e ankandeve, pa bërë të ditura kushtet e marrëveshjes.
Një ditë më parë, Sotheby’s kishte konfirmuar synimin për të vijuar me shitjen, pavarësisht kundërshtimeve të trashëgimtarëve. Shtëpia e ankandeve pretendon se ka kryer një kërkim të gjerë mbi historikun e pronësisë së pikturës dhe se, deri më tani, nuk ka gjetur prova që ajo të jetë shitur nën presion ose nën vlerën e saj reale.
Rastet e kërkesave për rikthimin e veprave të artit të shitura nga koleksionistë hebrenj gjatë periudhës naziste janë shtuar vitet e fundit. Një pjesë e këtyre mosmarrëveshjeve janë zgjidhur përmes marrëveshjeve jashtë gjykatës, pa kaluar në procese të gjata ligjore.
Nëse vlerësimi prej 180 milionë dollarësh konfirmohet nga oferta fituese, “Lulet e gështenjës” do të vendosë një rekord të ri për një pikturë të Van Gogut të shitur në ankand.


