
Sinjalizuesit kanë nxjerrë në publik më shumë se 15 milionë dokumente të brendshme të Deutsche Bank, të cilat zbulojnë sjellje të papërshtatshme, dështime sistemike, paaftësi, premtime të pambajtura për reformimin e bankës dhe sekretet e disa prej klientëve të saj miliarderë dhe oligarkë.
Emailet, hetimet e brendshme, procesverbalet e bordit, dosjet e pajtueshmërisë dhe bisedat e punonjësve hedhin dritë të re mbi karrierën dhe drejtimin e drejtorit ekzekutiv Christian Sewing, një figurë e brendshme e bankës, i cili mori drejtimin në vitin 2018 dhe vlerësohet gjerësisht se e riktheu institucionin financiar, të përfshirë vazhdimisht në skandale, nga pragu i kolapsit drejt fitimeve rekord.
Në prapaskenë, tregojnë dokumentet, njeriu që premtoi t’u jepte fund një sërë skandalesh nxiti marrjen e më shumë rreziqeve, shprehu pakënaqësi ndaj departamentit të pajtueshmërisë dhe mbajti të fshehura nga aksionarët disa prej problemeve të bankës.
Hetimi Inside Deutsche Bank zbulon gjithashtu truke kontabël, deklarime financiare që kufizohen me mashtrimin dhe detaje të panjohura më parë mbi marrëdhënien e bankës me Jeffrey Epstein, të dënuarin për krime seksuale ndaj të miturve, dhe presidentin amerikan Donald Trump.
Aksionet e Deutsche-s ranë deri në 6 për qind të martën, pas publikimit të hetimit, përpara se të rikuperonin një pjesë të humbjeve dhe të tregtoheshin me rënie prej 4 për qind, shkruan FT.
FT shqyrtoi dokumentet, të cilat datojnë që nga fillimi i viteve 2010, së bashku me më shumë se 200 gazetarë nga dhjetëra media në mbarë botën, përfshirë Daraj, Der Spiegel, Manager Magazin, El Universal, Financial Mail, Kyodo News, Le Monde, The New York Times dhe Paper Trail Media.
Hetimi u koordinua nga Barracuda Media, një organizatë jofitimprurëse nga Afrika e Jugut, me mbështetjen teknike të Data and Research Center (DARC) në Gjermani.
Ishte veçanërisht marrëdhënia e Deutsche-s me oligarkët dhe paratë ruse ajo që i motivoi dy sinjalizuesit të kopjonin arkivin e dokumenteve dhe ta ndanin atë me gazetarin indian Josy Joseph dhe gazetaren nga Afrika e Jugut, Khadija Sharife.
Në një deklaratë, sinjalizuesit thanë se vepruan në “interes të publikut” për të zbuluar sjelljen e bankës, përfshirë “çështje të tilla si llogaritë e mbajtura nga oligarkët rusë”. Njëri prej tyre shtoi se “banka ka nevojë për një ristrukturim të plotë të menaxhimit dhe kulturës së saj”.
Deutsche, ndaj së cilës Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së vendosi në vitin 2021 një marrëveshje për shtyrjen e ndjekjes penale, është kontrolluar nga autoritetet gjermane tri herë vetëm gjatë këtij viti.
Që nga viti 2012, banka ka paguar 18.6 miliardë euro për të zgjidhur pretendime për shkelje të rregullave dhe procese gjyqësore, në lidhje me një sërë skandalesh që përfshinin manipulimin e tregut, pastrimin e parave ruse, kontrollet e dobëta, shitjen e produkteve në mënyrë të papërshtatshme dhe paraqitjen e të dhënave në mënyrë të rreme.
Deutsche tha se çështjet e ngritura nga rrjedhja e dokumenteve “datonin shumë vite më parë dhe, në disa raste, deri në dy dekada. Kur ishte e nevojshme, këto çështje u shqyrtuan në atë kohë dhe u diskutuan me rregullatorët”.
“Ne jemi një bankë ndryshe sot. Nën drejtimin e Christian Sewing, Deutsche Bank ka kaluar përmes një transformimi thelbësor.” Banka tha gjithashtu se kishte investuar 7 miliardë euro për përmirësimin e kontrolleve gjatë periudhës 2019–2025 dhe se “përparimi i saj është vlerësuar nga tregu, rregullatorët kryesorë dhe autoritetet mbikëqyrëse, si dhe nga klientët dhe palët e tjera të interesuara”.
Artikujt e publikuar nga FT të martën tregojnë se:
– Deutsche planifikoi zgjerimin e aktivitetit të saj famëkeq në Rusi nën drejtimin e Sewing, duke anashkaluar shqetësimet e ekipit të pajtueshmërisë për klientelën e bankës me lidhje me Kremlinin, ndërsa po grumbulloheshin retë e një stuhie gjeopolitike.
– Banka publikoi aksidentalisht deklaratat tatimore të Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial dhe e mbajti të fshehtë gabimin nga Shtëpia e Bardhë. Sewing u informua për mënyrën se si po trajtohej kjo krizë.
– Deutsche përpunoi pothuajse 600 milionë dollarë pagesa të dyshimta të lidhura me Epstein, një shifër shumë më e lartë se ajo që dihej më parë.
– Një katalog me mangësi në pajtueshmëri, dobësi në qeverisjen e korporatës, paaftësi dhe dështime teknologjike, përfshirë pranimin para rregullatorëve se Deutsche në fakt po “operonte jashtë ligjit dhe rendit”.
Artikuj të tjerë që do të publikohen gjatë kësaj jave do të zbulojnë pagesa të fshehta ndaj një anëtari të familjes mbretërore të Katarit, si dhe dobësi në sistemet që synojnë të parandalojnë pastrimin e parave në Deutsche, bankë e cila është përgjegjëse për më shumë se 1 trilion euro transferta ndërkombëtare çdo ditë.