Ka ndeshje që luhen për tri pikë, ka të tjera që mbartin histori, rivalitete dhe emocione të veçanta. Por ka edhe përballje që e kanë të shkruar një skenar krejt të pazakontë, ku futbolli vendos përballë jo thjesht dy trajnerë, por dy njerëz që deri dje kanë ndarë të njëjtën pankinë.
Fundjava do të sjellë një përballje të veçantë mes Elbasanit dhe Dinamos. Në njërin krah, Ilir Daja, një nga trajnerët më të spikatur të futbollit shqiptar, në drejtimin e bluve kryeqytetas. Në krahun tjetër, i biri, Glen Daja, në stolin e verdhebluve të Elbasanit.

Kësaj radhe, mbiemri dhe AND-ja janë të njëjta, por ngjyrat dhe interesat krejt të kundërta. Babë e bir kanë ndarë më parë eksperienca në stolin e Dinamos, kanë qenë pjesë e të njëjtit projekt dhe kanë punuar në të njëjtën anë të vijës teknike. Tani vjen një kapitull i ri, ndoshta më interesanti nga të gjithë. Për herë të parë do të maten me njëri-tjetrin si kundërshtarë, secili me detyrën për të fituar.
Imagjinoni pak situatën: para ndeshjes mund të diskutojnë futboll si babë e bir, por për 90 minuta do të duhet të harrojnë gjithçka tjetër. Iliri do të kërkojë fitoren për Dinamon, Gleni do të luftojë për pikët e Elbasanit. Dhe në fund, njëri do të largohet më i buzëqeshur se tjetri, në mos barazimit, që nënkupton “paqen” e luftuar.

Kush do ta fitojë këtë duel? Përgjigjen do ta japë fusha, sepse në futboll nuk ka lidhje gjaku që të fal pikë dhe as mbiemër që të garanton triumfin. Një gjë është e sigurt: këtë herë, Daja do të ketë përballë… Dajën. Pra, babai të birin.
Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lojë fjalësh, por për një derbi familjar, ku babai dhe i biri do të jenë në dy stola të ndryshëm, me të njëjtin profesion dhe objektiva krejt të kundërta. Derbi i “Dajave” po vjen. Familja mbetet familje, por 3 pikët nuk ndahen me lugë… Kush do të triumfojë, “ustai” apo çiraku” kësaj here?!







