Kuvendi sot në seancë plenare, Paketa Fiskale dhe Buxheti 2027 në rend dite, opozita me 13 deputetë më pak në sallë

Sot në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare.
Në fokus të diskutimeve dhe votimeve do të jetë shqyrtimi në parim i projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale.
Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare dhe pritet të marrin sot diskutimin e parë në sallën e Kuvendit.
Në këtë seancë, opozita do të përfaqësohet me një numër të reduktuar deputetësh. Aktualisht janë 13 deputetë të Partisë Demokratike të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, mes tyre kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka.
Për të përcaktuar qëndrimin dhe vijimin e aksionit parlamentar, demokratët do të mbledhin grupin parlamentar.
Përveç projektbuxhetit 2027, në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje që lidhen me paketën fiskale, konkretisht ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Rendi i ditës së seancës plenare:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 29.10.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”.
10. Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit ‘Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë’”.
11. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.




