Trump shoqërohet në Azi nga zyrtarë të lartë dhe Elon Musk, ja kush është pjesë e delegacionit amerikan Shenzhen është kthyer në qendrën e diplomacisë dhe ekonomisë ndërkombëtare me nisjen e samitit APEC 2026.
Përfaqësuesit e 21 ekonomive të rajonit Azi-Paqësor janë mbledhur për të diskutuar të ardhmen e tregtisë, investimeve dhe rritjes ekonomike, në një periudhë të karakterizuar nga tensione tregtare dhe pasiguri globale. Por, përtej axhendës ekonomike, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te një takim i veçantë, ai mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping.
Gazetari i Top Channel Jon Lumani, që ndodhet brenda ambienteve të samitit, sjell pamje nga qendra mediatike, ku janë vendosur ekrane gjigante për të përcjellë aktivitetet dhe zhvillimet e takimeve, ku gazetarë nga vende të ndryshme të botës janë të pranishëm.
Por interesi i mediave dhe i komunitetit ndërkombëtar shkon përtej diskutimeve ekonomike, drejt takimit të pritshëm mes tre liderëve të fuqive të mëdha.
Në planin ekonomik, pritshmëritë nga samiti lidhen kryesisht me forcimin e tregtisë së lirë, rritjen e investimeve dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes ekonomive të rajonit Azi-Paqësor.
Një prej çështjeve kryesore është përballimi i tensioneve tregtare dhe rritjes së proteksionizmit, të cilat kanë krijuar pasiguri për bizneset dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Liderët pritet të diskutojnë gjithashtu integrimin ekonomik rajonal, lehtësimin e procedurave doganore, lidhjet infrastrukturore dhe mundësitë për zgjerimin e tregtisë ndërkufitare.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm është inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital. APEC synon të nxisë përdorimin e teknologjive të reja në industri, shërbime dhe sektorin publik, duke i parë ato si motorë të rinj të produktivitetit dhe rritjes ekonomike.
Në axhendë përfshihen edhe siguria energjetike, siguria ushqimore dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Ndërsa në sallat e APEC-ut diskutohet për tregtinë dhe zhvillimin ekonomik, më 19 nëntor pritet një zhvillim tjetër me rëndësi të veçantë diplomatike.
Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping pritet të zhvillojnë një takim të përbashkët në Shenzhen. Sipas Kremlinit, takimi do të mbahet në rezidencën zyrtare të presidentit kinez Xi Jinping, dhe jo në godinën kryesore ku zhvillohen aktivitetet e samitit.
Në tryezën e tre liderëve pritet të diskutohen çështje të sigurisë ndërkombëtare, çarmatimit bërthamor dhe zhvillimeve në konfliktet globale.
Trump ka shprehur interes për diskutimet mbi reduktimin e armëve bërthamore, ndërsa çështjet e luftës në Ukrainë dhe konfliktit me Iranin mbeten pjesë e sfondit të tensioneve ndërkombëtare.
Top Channel