Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00, seancën plenare, ku në rendin e ditës janë shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe i paketës së projektligjeve fiskale.
Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë pesë projektligje që lidhen me paketën e re fiskale.
Konkretisht, bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, ligjin “Për procedurat tatimore”, ligjin “Për taksat kombëtare” dhe ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
Në vijim, do të shqyrtohet në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
Një tjetër çështje që do të shqyrtohet është projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për strehimin social”.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për një ndryshim në vendimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë.


