
Ka nisur mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, ku pritet të intervistohen disa zyrtarë institucionalë dhe përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Gjatë mbledhjes, e cila po zhvillohet nën drejtimin e kryetarit të Komisionit, Burim Ramadani, pritet të dëgjohen dëshmitë e Toska Gegës, Durim Kelmendit, Shpat Morinës, Shpresa Lukajt dhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit.
Në fillim të mbledhjes pati edhe përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, shkruan RTK.
Debati nisi lidhur me mundësinë e konfliktit të interesit të ekspertit Skender Kandiq, për shkak të angazhimit të tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale.
Kandiq mohoi të ketë konflikt interesi, ndërsa diskutimi mes deputetëve u shoqërua me akuza dhe kundërakuza.
Komisioni po shqyrton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.