Luis Suarez flet hapur për të ardhmen e tij dhe Lionel Messit

Sulmuesi uruguaian, Luis Suarez, ka folur për të ardhmen e tij në futboll dhe mundësinë që karrierën ta përfundojë në të njëjtën kohë me mikun dhe ish-bashkëlojtarin e tij, Lionel Messi.
Në një intervistë në emisionin “Tot Costa”, sulmuesi veteran e trajtoi me humor mundësinë e tërheqjes së tyre nga futbolli, duke theksuar se energjia dhe dëshira e madhe e yllit argjentinas për të vazhduar të luajë mund ta bëjnë atë të jetë i pari që do t'i japë fund karrierës.
“Leo ka shumë energji dhe një dëshirë të madhe për të vazhduar të luajë, kështu që në një moment ndoshta do të më duhet t’i them: ‘Miku im, ti vazhdo. Unë këtu e kam fundin’”, u shpreh Suarez.

Megjithatë, pavarësisht se të dy po i afrohen fazës së fundit të karrierës, uruguaiani bëri të qartë se asnjëri prej tyre nuk po mendon të pensionohet në një të ardhme të afërt.
“Për momentin, të dy jemi të lumtur, po e shijojmë futbollin dhe ndihemi mirë fizikisht”, deklaroi golashënuesi uruguaian.
Suarez dhe Messi kanë ndarë një pjesë të rëndësishme të karrierës së tyre, fillimisht te Barcelona, ndërsa më pas janë ribashkuar te Inter Miami, ku vazhdojnë të luajnë së bashku. /Telegrafi/











































