Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë këshillon shtetasit amerikanë që në prag të festave të fundvitit të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar për sigurinë e tyre në Shqipëri. Mesazh standard ky që u është dërguar qytetarëve amerikanë në të gjitha vendet e Europës ku apelohet për kujdes gjatë grumbullimeve të mëdha dhe aktiviteteve publike, të cilat mund të shërbejnë si objektiva të mundshme për grupet terroriste apo elementët kriminalë. Sipas ambasadës, sulmet e mundshme, mund të ndodhin pa paralajmërim, duke shënjestruar pikat turistike, nyjet e transportit, qendrat tregtare, vendet e kultit dhe hapësirat e tjera të frekuentuara.