
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kritikuar mazhorancën gjatë fjalës së saj në Kuvend, duke kërkuar krijimin e një qeverie tranzitore dhe duke akuzuar qeverinë për abuzime me fondet publike.
Zhupa u ndal edhe te protestat kundër qeverisë, duke deklaruar se më 28 nëntor qytetarët do të japin përgjigjen e tyre.
Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e diskutimeve në Kuvend për protestat, ndërsa iu referua edhe qëndrimeve të Parlamentit Evropian për këtë çështje.
“Keni përgjegjësi në Kushtetutë që ky Parlament t’u përgjigjet shqiptarëve. Për protestën e shqiptarëve flet edhe PE, vetëm këtu në Parlamentin shqiptar nuk flitet. Keni thyer këmbët, keni çarë kafkat dhe vini këtu me kokën ulur për të thënë që do të miratoni një buxhet me më shumë vjedhje. 2.16 miliardë euro ka nxjerrë KLSH vetëm dëm ekonomik nga 2013 deri në 2020, pa llogaritur çështje penale apo çështje të SPAK-ut”, deklaroi Zhupa.
Më tej, deputetja e PD-së tha se zgjidhja, sipas saj, është krijimi i një qeverie tranzitore, me një kryeministër që të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ajo komentoi edhe deklaratën e ministrit të Turizmit lidhur me vendet ku mund të zhvillohen protestat, duke paralajmëruar se qytetarët do t’i japin përgjigjen e tyre qeverisë më 28 nëntor.