Aktualitet Politikë

Rama në Kuvend: Buxhet historik, prek tavanin e 10 miliardë eurove!

Seanca maratonë në Kuvendin e Shqipërisë për Paketën Fiskale dhe Buxhetin 2027, kryeministri Edi Rama po bën prezantimin në sallën nga ku demokratët u larguan në shenjë proteste. Rama vuri në dukje se ulet barra fiskale për shtresën e mesme dhe shtoi se falë krijimit të mundësive të reja, ulet kostoja e jetesës së familjeve shqiptare.

Buxheti është historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë buxheti prek 10 miliardë euro. Por, ky buxhet është i rëndësishëm jo vetëm për këtë fakt.

Është i rëndësishëm edhe për faktin se shumica qeverisëse, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë, me këtë buxhet ul atë që është fjala kyçe në Shqipëri: koston e jetesës.

Lehtëson barrën fiskale për shtresën e mesme dhe vazhdon të rrisë mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë në nevojë.

Më tej, theksoi se raporti i progresit i thotë të tëra arsyet pse duhet të vazhdojnë punën.

Ndërkohë, Rama “thumboi” opozitën:

Të jesh në pushtet dhe të protestojnë kundër teje, është normale. Të jesh në opozitë e të mos të të lejojnë t’i afrohesh protestës, është gjëja më e dhimbshme.

Më herët në foltoren e Kuvendit, Sali Berisha njoftoi votën kundër dhe sërish  akuzoi maxhorancën se me Paketën Fiskale do të rrisë taksat e çmimet dhe se po nxit largimin e shqiptarëve.

A e kuptoni ju që s’keni asnjë të drejtë morale e ligjore të merreni me buxhetin? Nuk keni asnjë të drejtë të merreni me çështje buxheti. Ju keni humbur çdo lloj legjitimiteti. Ju keni mbrojtur korrupsionin. Çfarë buxheti do të miratoni ju? 10 miliardë vjedhje, me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve.

A jetoni në Shqipëri? Eurostat deklaroi dje se për shqiptarët të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar. Padrino, me kartelet e drogës, ka zhytur Shqipërinë në narkoeuro. Tani do t’u rrisni edhe taksat, çmimet. Me këtë paketë do t’i përzini prapë. Të parët që duhen përzënë nga Shqipëria jeni ju, por s’do t’ju përzëmë. Do të shkoni atje ku e keni vendin.

PD-ja kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, si dhe heqjen e projektligjit për strehimin, për të cilin tha se u përfshi pa respektuar Rregulloren. Kërkesa iu rrëzua nga socialistët.

Buxheti i vitit të ardhshëm kap vlerën e 10 miliardë eurove. Pasi të miratohet në parim në Kuvendin e Shqipërisë, buxheti rikthehet në komision për shqyrtimin nen për nen, e për të kaluar sërish në Parlament për miratimin në tërësi.