Ndryshimet në Paketën Fiskale, Rama: Rritet TVSH-ja për mallrat jashtë shportës bazë!

Në fjalën në Kuvend, kryeministri Edi Rama shpjegoi arsyet e ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale, duke u ndalur te rritja me një pikë përqindje e normës standarde të TVSH-së për mallrat jashtë shportës bazë dhe te rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.

Teksa argumentoi se ushqimet bazë dhe mallrat e tjera të konsumit nuk duhet të kenë të njëjtën barrë fiskale, theksoi se politika e qeverisë synon të lehtësojë barrën për familjet me të ardhura të ulëta.

Dua të shpjegoj se pse ne rrisim një pikë përqindje normën standarde të TVSH për mallrat jashtë shportës bazë. Sepse nuk ka asnjë arsye që barra fiskale mbi ushqimin e domosdoshëm të një familje me të ardhura të pakta të trajtohet në të njëjtën mënyrë si taksimi i konsumit të mallrave të tjera.

Vazhdojmë t’i mbetemi besnikë asaj që jemi, për sa kohë i përkasim kësaj partie, të mbledhur dhe fuqizuar në vite rreth atij trëndafilit që është simboli ynë, që do të thotë se ne jemi partia që mendon për ata që fitojnë më pak.

Ne besojmë që ata që fitojnë më shumë të kontribuojnë më shumë, në mënyrë që ata që fitojnë më pak të mos jenë të detyruar të kontribuojnë më shumë për të patur më shumë.

Kryeministri u ndal edhe te ndryshimi i tatimit mbi dividendin, i propozuar të rritet nga 8% në 15%, ndërsa tatimi mbi fitimin e sipërmarrjes do të mbetet i pandryshuar, në nivelin 15%.

Sipas Ramës, kjo politikë synon të nxisë riinvestimin e të ardhurave nga bizneset, ndërsa të ardhurat personale nga dividendi, të kontribuojnë më shumë në Buxhetin e Shtetit.