Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Shkodër–Koplik, në zonën e Shtojit, ku dy automjete tip “Mercedes-Benz” janë përplasur kokë më kokë.
Si pasojë e përplasjes së fortë, gjashtë persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, të gjashtë të lënduarit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Njëri prej tyre, një 33-vjeçar me inicialet D. R., ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pesë personat e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.