Lajmi i fundit

LIVE - Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare, diskutohet projektbuxheti 2027

Parlamenti serb kthehet në komedi, Robelli ironizon Vuçiçin dhe kandidatin 'mishërim i bukurisë antike'

Parlamenti serb kthehet në komedi, Robelli ironizon Vuçiçin dhe kandidatin 'mishërim i bukurisë antike'

12:07, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një seancë parlamentare që ngjante më shumë me një shfaqje komike sesa me një moment të rëndësishëm të jetës politike në Serbi. Gazetari Enver Robelli sjell një përshkrim ironik të mbledhjes konstituive të Parlamentit serb, ku Aleksandar Vuçiç, i cilësuar si humbësi i zgjedhjeve, mbajti një fjalim gati dyorësh, ndërsa debati mori një kthesë të pazakontë me prezantimin poetik të kandidatit të Listës Studentore për kryetar të Kuvendit. Përshkrimi i tij si mishërim i idealit antik të bukurisë dhe virtytit u kthye në objekt talljeje, duke nxjerrë në pah kontrastin mes retorikës politike, pretendimeve për epërsi morale dhe realitetit të skenës politike serbe.

Postimi i Plotë i Robellit:

Komedia dhe “bukuria antike” në parlamentin serb

Sot shikova mbledhjen konstituive të Parlamentit të Serbisë. Ishte një komedi interesante. Humbësi i zgjedhjeve, Aleksandar Vučić, foli gati dy orë.

I ngjante pak Hugo Chávezit dhe Fidel Castros. Vučić u ankua për zullumin e madh që Lista Studentore paska filluar kundër anëtarëve të partisë së tij - ende pa e marrë pushtetin. Si shembull përmendi një incident të ndodhur sot, kur një përkrahëse e Listës Studentore ia derdhi në flokë një tas me jogurt një deputeteje të partisë së Vučićit.

Bëhet fjalë për Lidija Vukićevićin, aktoren e njohur nga disa seriale televizive. U ankua Vučići edhe për heqjen e fotografive të tij nga zyrat shtetërore.
Humori arriti një nivel tjetër kur deputeti i Listës Studentore, Jugoslav Gašić, me prejardhje nga Kosova, lexoi biografinë e kandidatit të kësaj liste për kryetar të Kuvendit të

Serbisë. Ai quhet Aleksandar Čupić, është profesor universitar në fushën e numrave postarë dhe rrjeteve.
Jugoslav Gašić e përshkroi Čupićin si „mishërim të gjallë të idealit antik të bukurisë“, respektivisht të idealit antik të kalokagatisë - harmonisë së përsosur të bukurisë trupore dhe virtytit shpirtëror.

Ky përshkrim poetik e romantik ngjante më shumë me poezitë e Omer Kajamit për bukuroshet orientale që pinë verë e shijojnë jetën sesa me prezantimin e një kandidati për kryetar parlamenti në vitin 2026. Gašić nuk e la me kaq. Ai vazhdoi me përshkrimin e Čupićit:

"I gjatë dhe i pashëm, me një pamje natyrisht dhe spontanisht autoritative, me një mjekër të gjatë që zgjon asociacione me figurat e iluministëve të vjetër, mendimtarëve dhe urtakëve popullorë, me një vështrim fisnik e depërtues, në të cilin pasqyrohet një kuptim i thellë antropologjik i njeriut dhe brishtësisë së tij, ai, për shkak të konsistencës së tij shpirtërore, nuk u përket atyre që fuqinë politike e kërkojnë në zhurmën shurdhuese, demagogji dhe britmat e ndërsjella“.

Vučić, politikan me përvojë, i kishte shënuar me akribi të gjitha këto përshkrime me lule dhe u tall me kënaqësi me to gjatë gjithë pasdites. Dhe, vërtet, ish-autokrati serb kishte të drejtë. Problemi i lëvizjeve popullore (dhe populliste) që vijnë në pushtet me stuhi është se argumentojnë nga pozita e superioritetit moral. Shtiren si pronarë të etikës. Dhe dalin qesharakë. Si ky Gašić i Listës Studentore, nga Mitrovica e Republikës së Kosovës. Vučić e akuzoi se e kishte keqpërdorur ChatGPT për të shkretuar këtë fjalim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco