Për të paguar pagat, sigurimet, shlyer të plota pensionet, për të kryer investime në infrastrukturë, shëndetësi, mbrojtje apo arsim, në 2027-ën pritet të shpenzohen 976 miliardë lekë.
Brenda këtij fondi, janë 202 miliardë lekë që do të shkojnë për investimet publike, me fokus avancimin e një sërë projektesh rrugore, hekurudhore por edhe portuale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbetet institucioni me buxhetin më të madh, me 89.7 miliardë lekë, ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes me 76.6 miliardë lekë me fokus tek armatimet dhe investimet në kuadër të NATO-s, e më tej Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 75.45 miliardë lekë, apo ajo e arsimit me afro 68 miliardë lekë.
Gjithashtu janë ndarë 20 miliardë lekë për të dyfishuar bonusin e pensionistëve, si dhe afrohet indeksimi i pensioneve në prill të 2027-ës, me vlerë apo 4 miliardë lekë. Edhe pse shifra e indeksimit edhe nuk është përllogaritur, pritet të jetë rreth 2.9%.
Skema e re e bonusit të bebeve gjen gjithashtu mbështetje në buxhet. Prej korrikut të 2027-ës, nis pagesa mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeçare. Do të jepen 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin e në vijim.
Sa i takon borxhit publik projektohet të zbresë në përqindje në 52.4% të PBB-së, por në vlerë do të rritet për shkak se vendi do të dalë në tregjet e huaja për të marrë një eurobond në vlerën 650 milionë euro.
Në anën tjetër prej taksave e tatimeve, një pjesë e të cilave rriten apo ulen, do të mblidhen 907 miliardë lekë. Ky skenar i ligjit më të rëndësishëm ekonomik është ndërtuar mbi projeksionin e një rritje ekonomike prej 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi.
Projektbuxheti shoqërohet edhe me 5 projektligje të “Paketës Fiskale”, ku për herë të parë pas 3 dekadash në fuqi, qeveria vendos të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%. Me këtë lëvizje duhet të ulen deri 12% edhe çmimet e shportës bazë ushqimore.
Por në anën tjetër prej vitit të ardhshëm TVSH-ja standarde do të jetë 21% nga 20% aktualisht, pra për çdo produkt tjetër jashtë shportës barra do të shtohet. Gjithashtu rritet nga 6% në 10% edhe TVSH-ja për strukturat akomoduese me përjashtim të agroturizmit.
Një tjetër ndryshim është ulja e pragut të TVSH-së për bizneset. Cdo subjekt me qarkullim mbi 5 milionë lekë do të futet në regjimin e TVSH-së, nga mbi 10 milionë lekë që është prej vitit 2021.
Me ndryshimet e ligjit për tatimin mbi të ardhurat rritet në 15% tatimi mbi dividendin nga 8% aktualisht. Ndërkohë rishikohet edhe tatimi i pagave, për herë të parë do të ketë një normë 30% për rrogat më të larta se 700 mijë lekë të reja në muaj.
Ndërkohë pagat nga mbi 60 mijë lekë deri në 300 mijë lekë do të tatohen me 13%, deri më tani pagat nga 60-200 mijë lekë ishin pjesë e kësaj fashe tatimore.
Ndërsa tatimin 23% tashmë do ta paguajnë ata që kanë pagat nga mbi 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. Pandryshuar, e përjashtuar nga tatimi mbetet paga minimale.
Ndryshimi tjetër është tek taksat kombëtare. Taksa e qarkullimit 32.4 lekë me TVSH, nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit tek taksat vjetore të mjetit që do të dyfishohen.
Njëkohësisht nga 1 janari 2027, një paketë cigare do të kushtojë 8.5 lekë më shumë. Rritja e akcizës për duhanin do të ketë edhe kontribut pozitiv në rritjen e të ardhurave për vitin që vjen prej afro 50 milionë euro shtesë.
Projektligjit tjetër ai për procedurat tatimore parashikon mbledhja me forcë e parapagimeve që duhet të bëjë biznesi, siç mund të jenë këstet e tatimit mbi fitimin. Ky ashpërsim vjen pas çlirimit të mijëra bizneseve nga detyrimet e papaguara ndër vite, në kuadër të Paqes Fiskale.








Komente
Komento