Inflacioni në Britani arrin 3,6%, por tregjet ulin pritshmëritë për rritje të normës

Inflacioni vjetor në Britani u rrit në 3,6% në tetor, nga 3,5% në shtator, duke arritur nivelin më të lartë në një vit. Investitorët megjithatë ulën pritshmëritë për një tjetër rritje të normës së interesit nga Banka e Anglisë në dhjetor, pasi inflacioni bazë dhe ai i shërbimeve nuk u përshpejtuan, sipas Reuters.
Shifra e përgjithshme përputhej me parashikimin median të ekonomistëve, por ishte nën nivelin prej 3,7% që Banka e Anglisë kishte parashikuar në fillim të nëntorit. Në atë mbledhje, banka qendrore rriti normën bazë për herë të parë në tre vjet. Pas publikimit të të dhënave të tetorit, yield-et e obligacioneve të qeverisë britanike ranë, ndërsa tregjet ulën lehtë pritshmëritë për një rritje të normës në mbledhjen e ardhshme.
Krahasuar me shtatorin, çmimet e konsumit u rritën me 0,5%. Në tetor të vitit të kaluar, rritja mujore kishte qenë 0,4%. Transporti dha kontributin më të madh në përshpejtimin e inflacionit vjetor këtë tetor, kryesisht për shkak të karburanteve. Çmimet e transportit u rritën me 7,5% në bazë vjetore, nga 6,6% në shtator. Në drejtim të kundërt vepruan restorantet dhe hotelet, të cilat dhanë kontributin më të madh në frenimin e rritjes së treguesit të përgjithshëm.
Rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u ngadalësua në 0,9%, nga 1,3% në shtator. Në grupin e alkoolit dhe duhanit, ritmi i rritjes u përshpejtua në 4,5%, nga 2,5%. Çmimet e veshjeve dhe këpucëve ranë me 0,5% ndaj një viti më parë, pasi në shtator kishin shënuar një rritje të lehtë prej 0,1%.
Inflacioni bazë, që përjashton energjinë, ushqimet, alkoolin dhe duhanin, mbeti në 2,8%. Edhe inflacioni i shërbimeve mbeti në nivelin e shtatorit. Matja më e gjerë që përfshin kostot e banimit për familjet që jetojnë në banesat e tyre u ngjit në 3,7%, nga 3,6% në shtator. Kjo matje është e ndryshme nga indeksi i çmimeve të konsumit mbi të cilin bazohet objektivi i inflacionit i Bankës së Anglisë.
David Rees, kryeekonomist në Schroders, tha se të dhënat e tetorit e bëjnë më pak të mundshme një rritje të normës në dhjetor, por nuk e ndryshojnë ndjeshëm perspektivën e inflacionit. Banka e Anglisë parashikon që inflacioni të afrohet me 5% në tremujorin e dytë të vitit 2027, për shkak të shtrenjtimit të energjisë pas luftës me Iranin. Publikimi i ardhshëm i të dhënave të çmimeve është planifikuar për 16 dhjetor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









