Wednesday / November 18 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota

Anthropic mund të vlerësohet deri në 1,4 trilionë dollarë në debutimin në bursë

Share Share Icon

Anthropic, kompania që zhvillon asistentin e inteligjencës artificiale Claude, pritet të caktojë kete te merkure çmimin e ofertës publike fillestare, e cila mund ta vlerësojë kompaninë deri në 1,4 trilionë dollarë, sipas Reuters. Aksionet pritet të nisin tregtimin të enjten në Nasdaq, me simbolin ANT.

Oferta përfshin 825 milionë aksione të klasës A, me një çmim orientues prej 70 deri në 78 dollarë secili. Në kufirin e sipërm të intervalit, oferta do të arrinte në 64,35 miliardë dollarë përpara komisioneve dhe shpenzimeve. Kjo është vlera e aksioneve që dalin në shitje, ndërsa shifra prej 1,4 trilionë dollarësh i referohet vlerësimit të të gjithë kompanisë.

Anthropic do të shesë rreth 801,4 milionë aksione. Pjesa tjetër, rreth 23,6 milionë, do të shitet nga aksionarët ekzistues dhe të ardhurat nga këto shitje nuk do t’i kalojnë kompanisë. Disa anëtarë të bordit dhe subjekte të lidhura me ta kanë shprehur interes për të blerë aksione në ofertë me një vlerë të përgjithshme deri në 303 milionë dollarë.

Krahas ofertës publike, Anthropic planifikon një shitje private të aksioneve të klasës N. Me një çmim të supozuar prej 74 dollarësh për aksion, në mesin e intervalit orientues, kompania llogarit se do të sigurojë rreth 84,6 miliardë dollarë neto nga të dy transaksionet së bashku. Shuma mund të arrijë në rreth 93,7 miliardë dollarë nëse bankat që organizojnë ofertën ushtrojnë plotësisht të drejtën për të blerë aksione shtesë.

Për tremujorin e tretë të vitit 2026, Anthropic raportoi 17 miliardë dollarë të ardhura, mbi 12 herë më shumë se një vit më parë. Kompania regjistroi një humbje neto prej 23,3 miliardë dollarësh, ku përfshiheshin 21,9 miliardë dollarë shpenzime kontabël pa dalje monetare, të lidhura me rivlerësimin e instrumenteve financiare. Marzhi operativ ishte negativ, në 3%, ndërsa marzhi operativ i rregulluar ishte 15%. Në fund të shtatorit, kompania kishte mbi 11.900 klientë që i kishin sjellë të paktën 100.000 dollarë të ardhura secili gjatë 12 muajve të fundit.

Oferta vjen një ditë pasi Nvidia publikoi një parashikim shitjesh mbi pritshmëritë. Në tregtimin e së mërkurës, indeksi global i aksioneve MSCI ra me 0,1%, ndërsa aksionet e kompanive teknologjike europiane u rritën me 1,2%. Përpara ofertës, aksionet e Anthropic nuk tregtoheshin në një treg publik. Çmimi që do të paguajnë investitorët në ofertë do të caktohet përpara debutimit dhe mund të ndryshojë nga ai me të cilin aksionet do të nisin tregtimin në Nasdaq.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Sulm kibernetik në 178 faqe globale, mes tyre CNN dhe Zoom, synon vjedhjen e të dhënave

Një sulm kibernetik në shkallë të gjerë ka ekspozuar vizitorët e faqeve të internetit të 178 organizatave në mbarë botën ndaj programeve keqdashëse...

14 hours më parë 3 Min Lexim

Nvidia nuk po shqyrton rikthimin e Jensen Huang si CEO, pavarësisht mbështetjes së Trump

Bordi drejtues i Nvidia nuk po shqyrton mundësinë e rikthimit të Jensen Huang në postin e drejtorit ekzekutiv, pavarësisht mbështetjes publike nga ...

1 day më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!