Embargoja e Vuçiçit nuk e ndali eksportin e armëve nga Serbia
Megjithëse Serbia vendosi embargo ndaj eksportit të armëve, shitjet jashtë vendit vazhduan dhe kompania shtetërore, Jugoimport SDPR, realizoi fitime milionëshe.
Këtë e tregojnë raportet financiare të kompanisë për vitin 2025, të cilat i analizoi Radio Evropa e Lirë.
Të ardhurat e Jugoimport SDPR-së, që burojnë nga importi dhe eksporti i armatimit, tejkaluan 300 milionë euro.
Kompania u rendit në mesin e pesë ndërmarrjeve në Serbi me rritjen më të madhe të të ardhurave.
Importi i armëve nuk ishte i kufizuar, por kompania vazhdoi të siguronte të ardhura edhe nga eksporti, ndonëse Serbia e kishte të pezulluar zyrtarisht shitjen e armëve dhe municioneve jashtë vendit.
Moratoriumi u vendos në fund të qershorit 2025 – me udhëzim të presidentit të atëhershëm, Aleksandar Vuçiç – në kohën e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit dhe pas akuzave të përsëritura të Moskës se Serbia furnizonte Ukrainën me municione përmes ndërmjetësve.
Eksporti rifilloi në shkurt të vitit 2026.
Por, si u shitën armët nga Serbia gjatë periudhës së moratoriumit?
Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, Jugoimport SDPR-ja pretendon se eksportet e saj nuk ishin ndalur, por se ishte ashpërsuar procedura për marrjen e lejeve të eksportit.
“Përveç pëlqimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe BIA-s (Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit), u vendos edhe kërkesa për pëlqimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Në krye të këtij këshilli ishte Vuçiç – atëkohë në cilësinë e presidentit të shtetit.
“Fakti që aktivitetet tregtare vazhduan, tregon se ekzistonin dy lista. Në njërën anë kishte një bllokadë zyrtare për të gjithë, ndërsa, në anën tjetër, një listë të atyre që kishin marrë miratimin për eksport”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiç.
“Në fakt, vendimi ishte në duart e Vuçiçit. Ai e vendosi moratoriumin me vullnetin e tij. Dhe, nëse Vuçiç thoshte se mund të eksportohej diku, atëherë eksporti realizohej. Gjithçka tjetër mbetej nën embargo”, shton ai.
Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me tregtinë e armëve dhe rolin e ish-presidentit në këto marrëveshje.
“Rreptësisht konfidenciale”
Marrëveshjet për tregtinë e armëve, si rregull, mbaheshin rreptësisht konfidenciale nga pushteti i kaluar.
“Eksportet nuk janë ndalur, por nuk keni informacione se kujt i janë eksportuar armët”, thotë Radiç.
E njëjta gjë vlen edhe për importin e armëve, nga i cili kompania Jugoimport SDPR ka siguruar të ardhura edhe më shumë.
Ndërsa një e katërta e të ardhurave në vitin 2025 vinte nga eksportet, tri të katërtat e tjera siguroheshin nga importet.
Sipas raporteve financiare të kompanisë, të qasshme për publikun, kjo prirje vazhdon edhe me marrëveshjet e reja, vlera e të cilave arrin në rreth 2.9 miliardë dollarë.
Jugoimport SDPR bën të ditur se gjatë vitit 2025 ka lidhur 57 kontrata eksporti me 22 vende, në vlerë prej 643 milionë dollarësh.
Sipas kompanisë, me 27 vende janë lidhur edhe 237 kontrata importi, në vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh.
Se për cilat shtete bëhet fjalë dhe çfarë saktësisht blihet, nuk është e qartë.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, kompania përmendi Qipron, Azerbajxhanin dhe Izraelin si disa nga klientët e saj kryesorë, por nuk sqaroi se çfarë lloj bashkëpunimi tregtar ka me ta.
Nga kush i importon Serbia armët?
Pjesa më e madhe e importeve të kompanisë Jugoimport SDPR gjatë vitit 2025 – gjithsej 90 për qind – ishin furnizime për Forcat e Armatosura të Serbisë, tregojnë dokumentet financiare.
Nga kjo kompani i thanë Radios Evropa e Lirë se Ministrisë së Mbrojtjes i ofrojnë mbështetje në punët administrative, si hartimi i kontratave dhe kryerja e pagesave, por se kompania nuk vendos vetë se çfarë do të blihet dhe nga kush.
Ministria e Mbrojtjes nuk dha informacione për këto furnizime, ndërsa raportet e organizatave ndërkombëtare, gjatë viteve të fundit, kanë treguar se Serbia ka importuar pjesën më të madhe të armatimit dhe pajisjeve ushtarake nga Kina, përfshirë raketa balistike dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore.
Në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë gjenden, po ashtu, armë izraelite.
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mburrej me bashkëpunimin gjithnjë e më të madh me Izraelin në industrinë ushtarake.
Serbia ka importuar disa dronë izraelitë, ndërsa ka shtuar dërgesat e municioneve drejt Izraelit që nga tetori i vitit 2023, kur ka nisur lufta në Gazë.
Gjithashtu, është paralajmëruar edhe një bashkëpunim mes kompanisë shtetërore serbe, Jugoimport SDPR, dhe një kompanie private izraelite për prodhimin e dronëve në një fabrikë pranë Beogradit.
Hollësitë e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë publike./REL
Kurti pyetet nga gazetarët për aktgjykimin e Speciales, heziton të përgjigjet
Protesta në Greqi, merren masa disiplinore ndaj policit që goditi protestuesin me shkop gome në Athinë
Gjendja shëndetësore e bashkëshortes arsyeja e ardhjes së Jakup Krasniqit në Kosovë
- 12:41 LeBron James padit kompaninë e basteve sportive: Përdori imazhin dhe zërin e tij pa leje
- 12:40 Momenti kur Jakup Krasniqi mbërrin në shtëpinë e tij në Prishtinë (VIDEO)
- 12:34 SHBA miratoi shitjen e dy sistemeve raketore HIMARS, Nufi: FA me kapacitete goditëse në distanca të gjata
- 12:30 IdentiTek sqaron ndryshimin në pasaporta: Nuk është gabim në printim, por standard i ri ndërkombëtar
- 12:23 Një rast me malarie në Shqipëri, ISHP: 12 raste në pesë vite, asnjë transmetim brenda vendit
- 12:15 Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, ulet nafta dhe benzina