Qeveria vendos rregulla të reja për tregtinë online, ja çfarë ndryshon tashmë
Platformat e tregtimit online do të kenë deri në dy ditë pune për të zbatuar urdhrat e autoriteteve për heqjen ose çaktivizimin e ofertave për produkte të rrezikshme, sipas projektligjit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për sigurinë e produkteve joushqimore. Drafti parashikon gjoba nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë për personat juridikë dhe nga 100 mijë deri në 600 mijë lekë për personat fizikë, kur shkelin detyrimet e përcaktuara në nenin 45.
Afati nis nga marrja e urdhrit, ndërsa njoftimet për oferta të dyshuara si të rrezikshme duhet të shqyrtohen brenda tri ditëve pune. Platformat duhet të caktojnë pika kontakti dhe të krijojnë procedura të brendshme për sigurinë e produkteve. Vetë ofertat duhet të përmbajnë të dhëna për prodhuesin ose personin përgjegjës, informacion që identifikon produktin dhe paralajmërimet për sigurinë.
Rregullat për shitjen në distancë do të zbatohen kur “oferta i drejtohet konsumatorëve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, përcakton neni 5. Ndër kriteret janë mundësia e dërgesës në Shqipëri, komunikimi në shqip, pranimi i pagesave në lekë ose përdorimi i strategjive të marketingut që synojnë tregun shqiptar. Sipas relacionit, ligji në fuqi nuk përcakton detyrime të posaçme për platformat, ndërsa autoritetet hasin vështirësi në trajtimin e ofertave online për produkte të rrezikshme.
Prodhuesit duhet të kryejnë analizën e rrezikut dhe të përgatisin dokumentacionin teknik, ndërsa importuesit duhet të verifikojnë përmbushjen e detyrimeve nga prodhuesi përpara se ta vendosin produktin në treg. Shpërndarësit duhet të sigurohen që transporti ose magazinimi të mos cenojnë sigurinë. Kur natyra e produktit e kërkon, vlerësimi do të përfshijë edhe sigurinë kibernetike dhe funksionet vetënxënëse.
Kur një produkt duhet të kthehet për arsye sigurie, konsumatorët që mund të identifikohen do të njoftohen drejtpërdrejt. Operatori përgjegjës duhet të ofrojë një zgjidhje “efektiv[e], pa pagesë dhe brenda një afati të arsyeshëm”. Si rregull, konsumatori duhet të ketë të paktën dy mundësi mes riparimit, zëvendësimit dhe rimbursimit. Nëse riparimi ose zëvendësimi nuk kryhet brenda një afati të arsyeshëm dhe pa vështirësi të konsiderueshme për konsumatorin, ai ka të drejtë të marrë mbrapsht shumën e paguar.
Drafti parashikon gjithashtu një sistem kombëtar për shkëmbimin e shpejtë të informacionit për produktet e rrezikshme. Sistemi, që do të administrohet nga ministria nëpërmjet Zyrës së Vetme Ndërlidhëse, do të mbledhë njoftimet, rezultatet e testimeve, të dhënat për aksidentet dhe masat korrigjuese.
Projektligji do të zëvendësonte ligjin e vitit 2011 dhe synon përafrimin me rregulloren europiane për sigurinë e përgjithshme të produkteve. Sipas relacionit, përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian do të zbatohen rregullat kombëtare; pas anëtarësimit, rregullorja europiane do të zbatohet drejtpërdrejt dhe në fuqi do të mbeten vetëm dispozitat kombëtare të nevojshme për zbatimin e saj./Monitor
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



