
Kuvendi vijon shqyrtimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale. Kryeministri Edi Rama e cilësoi projektbuxhetin prej 10 miliardë eurosh më të madhin në histori dhe tha se masat fiskale do të ulin koston e jetesës për familjet, do të lehtësojnë barrën tatimore për shtresën e mesme dhe do të rrisin mbështetjen për pensionistët. Deputetët e PD-së lanë sallën sapo Rama mori fjalën dhe u kthyen pas përfundimit të fjalimit. Kur Sali Berisha nisi të fliste në emër të grupit demokrat, Rama dhe shumë deputetë socialistë u larguan nga salla.
Kryeministri tha se ekonomia është trefishuar që kur socialistët morën detyrën dhe iu përgjigj kritikave të opozitës për gjendjen ekonomike.
“Kemi fituar çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu. Ndryshe nga sa pëllasin e ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë e kurrë mos kuptofshin, ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër”, tha Rama.
Në debatin për strehimin, Rama pranoi se rindërtimi në Tiranë ka vonesa. Ai tha se një pjesë e fondeve të parashikuara për strehimin dhe rindërtimin nuk është vënë në përdorim.
“Ne kemi problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës, se ka dy vjet pa kokë, sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe rindërtimit nuk është vënë në lëvizje”, tha kryeministri.
Rama mbrojti edhe investimet e huaja, duke e cilësuar kundërshtimin ndaj tyre “vetëvrasje ekonomike”. Pas kërkesës së PD-së që Kuvendi të diskutonte për protestën, ai ironizoi demokratët, duke thënë se protestuesit nuk i kishin pranuar.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme”, tha Rama.
Pas rikthimit në sallë, Berisha mori fjalën në emër të grupit të PD-së, pasi Gazment Bardhi është i përjashtuar nga seanca. Kreu demokrat, i cili ka deklaruar se PD-ja do të votojë kundër projektbuxhetit, e nisi fjalën me një sulm ndaj kryeministrit për largimin nga salla.
“Siç e patë vetë, Padrino ia mbathi me bisht ndër shalë. Ia mbathi sepse e di që kjo është e fundit herë që ai paraqet buxhet në këtë sallë”, tha Berisha.
Buxheti i vitit të ardhshëm kap vlerën 10 miliardë euro. Pasi të miratohet në parim në Kuvend, buxheti rikthehet sërish në komision për shqyrtim nen për nen, e për të kaluar sërish në Parlament për miratimin në tërësi.




