Bashkitë e qarkut të Kukësit kanë përdorur vetëm 19% të fondit të kushtëzuar për emergjencat civile, ndërsa pjesa tjetër rrezikon të humbasë nëse nuk shpenzohet deri në fund të vitit. Shqetësimi u ngrit nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, gjatë mbledhjes së Komisionit të Mbrojtjes Civile të Qarkut.

“Nga analizimi rezulton se përqindja e realizimit deri në këto momente është e ulët. Përqindja e realizimit në nivel qarku shkon në 19% të fondit të kushtëzuar. Kjo e bën të domosdoshëm maksimalizimin e masave për të përdorur këtë fond, pasi jemi në muajt e fundit të vitit dhe ky fond është i destinuar të digjet nëse nuk përdoret”, deklaroi Çako.

Ai u kërkoi bashkive të përshpejtojnë përdorimin e fondeve, duke i orientuar drejt nevojave konkrete për përballimin e emergjencave. Edhe prefekti i qarkut, Dritan Baji, kërkoi nga bashkitë të paraqesin projekte dhe kërkesa konkrete, me qëllim realizimin e plotë të fondeve.

Në mbledhje u analizuan gjithashtu pasojat e reshjeve të ditëve të fundit, problematikat e shkaktuara nga zjarret gjatë vitit 2026 dhe masat për sezonin dimëror 2026–2027.

Vëmendje e veçantë iu kushtua zonave me rrezik, ku prurjet e inerteve nga përrenjtë malorë mund të dëmtojnë banesat, rrugët dhe veprat hidroteknike. Institucionet theksuan nevojën për koordinim më të mirë dhe gatishmëri për ndërhyrje në rast emergjencash.