Janë përcaktuar të gjitha 16 skuadrat që do të marrin pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian U-21 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.

Katër biletat e fundit për turneun u siguruan përmes ndeshjeve play-off, ku Holanda, Çekia, Finlanda dhe Greqia arritën të fitojnë të drejtën për të qenë pjesë e fazës finale, duke plotësuar kështu listën e ekipeve pjesëmarrëse.

Shqipëria dhe Serbia, si dy vendet organizatore, janë automatikisht pjesë e turneut, ndërsa në mesin e skuadrave të kualifikuara janë edhe kombëtare me traditë të rëndësishme në këtë kompeticion, si Anglia, kampione në fuqi e Europës, Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Polonia, Portugalia dhe Spanja.

Për herë të parë në histori, Kombëtarja shqiptare U-21 do të jetë pjesë e fazës finale të një Kampionati Europian të kësaj grupmoshe. Ky turne përfaqëson një ngjarje të rëndësishme për futbollin shqiptar dhe një mundësi të veçantë për të promovuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare, duke mirëpritur disa prej talenteve më të spikatura të futbollit europian.

Shorti për fazën finale të UEFA EURO U-21 2027 do të hidhet më 26 nëntor në Beograd, në orën 18:30, ku do të përcaktohen grupet dhe rrugëtimi i 16 kombëtareve drejt titullit europian.

Shqipëria do të jetë kështu në qendër të vëmendjes së futbollit europian verën e ardhshme, teksa përgatitjet për organizimin e këtij eventi madhor vijojnë në kuadër të një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb