SHBA, raketa “Himars” për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit miratoi shitjen e dy sistemeve me vlerë 210 milionë dollarë

Shqipëria pritet të pajiset me sistemet amerikane të raketave Himars, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e dy sistemeve të tilla me një vlerë totale prej 210 milionë dollarësh.
Himars është një sistem raketor modern, I cili përdoret për të goditur objektiva ushtarake si bazat, pozicionet dhe pajisjet e kundërshtarit, pa qenë nevoja që trupat të afrohen pranë tyre. Blerja do të realizohet përmes një kredie nga programi amerikan i Financimit të Huaj Ushtarak.
Paketa përfshin gjithashtu tetë sisteme për drejtimin dhe koordinimin e artilerisë, dy automjete ushtarake, si dhe pajisje të tjera për komunikimin, navigimin dhe kontrollin e armëve. Marrëveshja parashikon trajnimin e personelit shqiptar dhe mbështetje logjistike.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, pajisja me këto sisteme do të rrisë aftësinë mbrojtëse të Shqipërisë. Gjithashtu theksohet se shitja e propozuar nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.
Ky bashkëpunim vjen pas pajisjes së ushtrisë shqiptare me mjete të blinduara amerikane, si automjete të posaçme, helikopterë Black Haëk dhe sisteme antitank Javelin. Këto të fundit janë pjesë e mbështetjes ushtarake që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite.



