Prokurorja e Tiranës Suela Salavaçi kreu një hetim të thelluar pasuror rreth bzinesmenit kontrovers Ilir Shehu alias Ilir Pasholli, i dënuar në Itali për trafik droge, vjedhje, pengmarrje dhe shfrytëzim prostitucioni, nën hetim për kontrabndë ilaçesh dhe skema mashtrimi.
Si produkt i aktivitetit kriminal, Shehut i janë sekuestruar katër kompani farmaceutike, 8 prona të paluajtshme, 8 makina dhe prona të regjistruara si pronësi e bizneseve si dhe 6 prona të paluajtshme në emër të Hajrie Shehut, bashkëshortes së Ilir Shehut, të cilat në total kapin shifrën e 10 mln euro.
Ilir Shehu është pronar që nga viti 2013 me 40 % të aksioneve i kompanisë së barnave Medicamenta. Pjesa tjetër e aksioneve (60%) figuron në emrin e 67-vjeçarit italian Riccardo Celesia. Italiani i kontrollon aksionet përmes kompanisë Farmacia Celesia srl. Shehu i bleu 40 % të aksioneve për 400 mijë euro në tetor 2013.

Së pari, Ilir Shehu rezulton në pamundësi për të justifikuar 400 mijë euro, për blerjen e aksioneve. Së dyti, vlera e aksioneve dyshohet se është më e madhe se deklarimi.
Ndërkaq, gjatë 5 viteve të fundit, kompania Medicamenta, e vetme dhe në bashkëpunim, ka marrë rreth 40 milionë euro tendera në shëndetësi, për furnizim me ilaçe, në disa raste në koordinim me ‘ujqërit’ e barnave, dajën e Petrit Vasilit, Rasim Hamzarajn, Luan Leklin, ‘merimangën’ e ilaçeve të skaduara Merita Sheqin, Gentian Krekën etj., grup i cili ka kapur buxhetin e shëndetësisë.
Nga Thesari i Shtetit në llogaritë e kompanisë së Shehut kanë kaluar rreth 35 milionë euro. Rreth 15 milionë euro, bosi i drogës dhe prostitucionit i ka përfituar vetëm nga QSUT.
Disa nga zyrtarët që kanë firmosur tenderat për trafikntin e drogës dhe bosin e prostitucionit Ilir Shehu allias Pasholli janë Ogerta Manastirliu, Enkel Joti, Eudina Degjoni, Arlonda Pogaj, Jonaid Myzyraj, Edlira Bode, Perlat Kapisyzi, Elisabeta Treska, Silva Bala, Xheni Halili, Senad Hallunaj, Ardian Dajti, Irini Shehu, Brunilda Mersini, Desantila Tahiraj
Tipologjia e tenderave është e njëjtë. Mungesë konkurrence ose garë e sajuar. Ofertat fituese janë gjithnjë sa fondi limit. Kritere të përshtatura dhe të diktuara nga karteli. Mashtrim me zbatimin e kontratave dhe cilësinë e medikamenteve. Nga rreth 700 tendera të përfituar, 390 rezultojnë me flamur të kuq korrupsioni.
Skemë mashtrimi
Pak vite më parë Ilir Shehut i doli emri si i përfshirë në një skemë mashtrimi me barna, ku ishte implikuar dhe një farmacist i QSUT. Skema ishte e tillë, farmacisti merrte barna nga farmacia e shtetit, e cila supozohej se ua ofronte falas pacientëve, dhe këtyre të fundit u thoshte se kishte mungesë të tyre por mund t’ua gjente kundrejt pagesës. Gjithashtu infermieri zëvendësonte barnat e farmacisë shtetërore me barnat e skaduar të kompanive të oligarkëve dhe këto të fundit ua shiste shqiptarëve. Ndër personazhet e krimit që ka shkëmbyer barna në kufijtë e skadencës të kompanisë së tij është edhe Shehu, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë të sëmurë.
Ortak me Artan Gaçin
Nga të dhënat e verifikuara, në një prej kompanive të sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, Unipharma, Shehu rezulton ortak me ish-deputetin socialist Artan Gaçit, ndaj të cilit zyrtarisht nuk është referuar ndonjë akuzë për këtë dosje. Megjithatë sipas burimeve, ndaj Gaçit dhe bashkëshortes së tij, deputetes Olta Xhaçka, ka një dosje të hapur nga Prokuroria e Posaçme, për pastrim parash, pikërisht në sajë të informacioneve që hetuesit shqiptar kanë marrë nga autoritetet italiane.













