Shpenzimet buxhetore për Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2027 parashikohen në 76.7 miliardë lekë, ose 2.61% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje prej 7 miliardë lekësh krahasuar me financimin aktual.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në Kuvend, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se financimi do të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
“Për Mbrojtjen do të vijojmë të financojmë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO . Për vitin 2027, parashikohet që shpenzimet buxhtore për Ministrinë e Mbrojtjes të arrijnë në 76,7 miliardë lekë ose 2.61% e PBB-së, me një rritje të financimit me 7 miliardë lekë”, tha ministri.
Sipas Malajt, vetëm për komponentin “Core Defense”, që lidhet me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe mbështetjen e angazhimeve në kuadër të Aleancës, shpenzimet parashikohen të arrijnë në 2.35% të PBB-së.
“Vetëm për Core Defense, pra për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit që mbështesin angazhimet tona në kuadër të NATO-s, shpenzimet do të arrijnë në nivelin 2.35% të PBB-së”, u shpreh ministri Malaj.


