
Luis Enrique nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej trajner pas përfundimit të karrierës si futbollist. Megjithatë, fati i rezervoi një rrugëtim krejtësisht ndryshe, që do ta kthente në një prej teknikëve më të suksesshëm dhe me ndikim të brezit të tij.
Gjithçka nisi në vitin 2008, kur spanjollit iu besua drejtimi i Barcelonës B, duke pasuar Pep Guardiolën, i cili ishte promovuar në ekipin e parë. Në atë kohë, skuadra njihej si Barça Athletic dhe ndodhej përballë një periudhe të vështirë. Nën drejtimin e Luis Enriques, ajo arriti të rikthehej në futbollin profesionist, në Segunda Division, pas 11 vitesh mungesë.
Fillimet, megjithatë, nuk ishin aspak të lehta. Në dokumentarin “Tocats per Lucho”, trajneri rrëfen se nuk kishte pasur kurrë dëshirë të merrej me profesionin e trajnerit.
“Nuk e kisha menduar kurrë të bëhesha trajner, as kur isha futbollist. Kur flisnim me shokët e skuadrës, thoshim: ‘Mirë, le ta bëjmë kursin’, por unë nuk kisha asnjë synim për t’u bërë trajner”, kujton ai.
Madje, gjatë përgatitjeve parasezonale, Luis Enrique ishte shumë pranë dorëheqjes.
“Gjatë fazës përgatitore mendova seriozisht të hiqja dorë. Më pëlqen konkurrenca. Kalova nga një situatë ku nuk dominoja asgjë, në një tjetër ku duhej të dominoja gjithçka. Një mëngjes, shumë herët, mendova t’i lija të gjitha. Por në orën tetë ndryshova mendje: ‘Unë qëndroj, nuk largohem’”, tregon ai.
Trajneri pranon gjithashtu se në fillim bëri shumë gabime në menaxhimin e lojtarëve: “Kam bërë shumë marrëzi, i kam shkatërruar pothuajse nga vrapimi”.
Megjithatë, tre vitet në drejtimin e Barcelonës B u kthyen në një sukses të madh, duke shënuar fillimin e një karriere që më vonë do ta çonte drejt trofeve më të rëndësishëm të futbollit evropian, përfshirë edhe dy triumfe në Champions League me Paris Saint-Germain.
