Nga Enri Çeno
Sot pata mundësinë të lexoj një artikull të publikuar nga Lapsi.al, i cili riprodhon disa nga deklaratat e kryeministrit Rama në Dublin (11 nëntor 2026). Secila prej tyre meriton një artikull më vete, por kësaj here, ia vlen të merremi me to me rradhë:
1.Protesta e shqiptarëve është shprehje e urrejtjes ndaj Trumpit
“Le të jemi të sinqertë, ky Revolucioni i Flamingove, që emrin e ka shumë tërheqës, është rezultat i një urrejtjeje shumë të madhe ndaj Donald Trump. Nëse hija e Donald Trump nuk do të ishte në sfond të kësaj çështje mjedisore, s’do kishit dëgjuar asgjë për flamingot.”
Pra nuk janë flamingot, laguna, ekosistemi, korrupsioni, vetë Rama, brutaliteti policor apo shqetësimi për një investim në një zonë të mbrojtur arsyeja që shqiptarët protestojnë. Është Presidenti Trump.
Njerëzit dalin të protestojnë sepse urrejnë Trumpin. Një kryeministër i cili, përballë një proteste me njëmijë arsye, zbulon se arsyeja kryesore qenka një konflikt emocional i shqiptarëve me presidentin amerikan. Hallet shqiptare, sipas këtij interpretimi, janë thjesht një nënfunksion i mënyrës sesi funksionon Amerika.
- Jul Çezari, Pompeu dhe bulevardi i Tiranës
“Të gjithë ata që urrenin Trump, gjetën bulevardin e Tiranës për ta bërë këtë betejë, njësoj si Çezari që gjeti Jugun e Shqipërisë për të luftuar kundër Pompeut. Ka kaq shumë gënjeshtra. Jam i sigurt se po t’ju pyes tani, do të mendonit sikur Irlanda është privatizuar nga familja Trump”.
Nga një projekt investimi në Sazan, me një kapërcim pindarik, Kryeministri hidhet te lufta civile romake. Budallëku i kësaj analogjie është aq i madh sa rrezikon të vërë përfund jo vetëm çështjen, por edhe vetë autorin.
Protestuesit nuk kërkojnë të kalojnë Rubikonin; ata po kërkojnë përgjigje për një projekt konkret. Por, kur faktet nuk na pëlqejnë, historia antike na ofron një skenë të mrekullueshme për t’ia mbathur nga përgjegjësitë.
- Miqësia me Sorosin, rreziku i Ramës dhe takimi me Kushnerin
“Kur u zgjodh Trump, më thanë që jam në rrezik, sepse jam mik me Sorosin dhe të birin. Megjithatë unë nuk diskutoj as miqësinë e as besnikërinë me miq që i kam për kohë të gjatë, por ka edhe një të vërtetë tjetër që e kam thënë, që kur kam takuar Kushnerin dhe folëm për këtë projekt, e ardhmja e Trump nuk ishte kaq e qartë”.
Këtu kemi të bëjmë me një shpjegim që zëvendëson një vendimmarrje shtetërore me një miqësi personale.
Timonieri i Shqipërisë hidhet si lepur nga Sorosi, te besnikëria, te Kushneri, tek perspektivat elektorale apo juridike të Trumpit. Na mbetet vetëm të mësojmë se çfarë mendon kryeministri për shenjën zodiakale të secilit prej tyre.
- Kushneri, dhe kandidati që mund të përfundonte në burg
“Ai (Trump) ishte një kandidat për të shkuar në burg. Unë pashë një amerikan që donte të bënte diçka për vendin tim. Unë s’dua t’ja di se ç’po ndodh me SHBA-të, sepse kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të pasur frikë, por përkundrazi për t’u ndierë krenar.”
Një standard interesant i gjykimit politik: Presidenti Trump mund të ishte kandidat për burg, por investitori i lidhur familjarisht me të meriton besim. Kryeministri na kërkon të mos shqetësohemi për zhvillimet amerikane, ndërkohë që sipas tij vetë shqiptarët protestojnë në Tiranë sepse duan t’i hapin gropën Trumpit.
- Tetë për qind e ishullit dhe projekti emblematik
“Nga faktet do të shihni se Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të ndryshëm nga ai që u është dhënë investitorëve të tjerë lokalë e ndërkombëtarë. Vetëm 8 % e ishullit mund të ndërtohet. Sepse qeveria shqiptare ka kërkuar një projekt që të jetë emblemë në Europë”.
Ja një matematikë interesante: 8%-shi i sipërfaqes së ndërtueshme përdoret si argument për ligjshmërinë dhe barazinë në tender. Por një përqindje nuk provon as transparencën, as respektimin e procedurave, as interesin publik. Fjala “emblemë” është sigurisht e bukur, por nuk është kategori juridike.
- Irani, organizatori i padukshëm i protestave
“Regjimi iranian ka duart e veta në ndezjen e protestave përmes ndërhyrjeve dhe rrjeteve sociale dhe ky është fakt. Tani nuk ka flamingo, ka zogj të tjerë, opozita politike dhe pastaj kishte dhunë që është e papranueshme”.
Nga Trumpi te Irani, nga Sorosi te opozita. Një protestë që fillimisht ishte një operacion zgjedhor kundër presidentit amerikan, tani del e drejtuar nga duar iraniane. Kryeministri ka zero prova konkrete. Formulimi është përfundimtar: «ky është fakt». Në teorinë politike të Ramës, pikësimi mund të zëvendësojë argumentin.
- Kulmi i kulmeve: gjatësia e k…ryeministrit
“Çdo investim ynë mbështetet në parimet ligjore dhe të gjithë detyrohen t’i përmbushin ato. Unë jam më i gjatë sesa Trump, por Shqipëria është më e vogël se SHBA-ja. Unë nuk gjykoj sipas gjatësisë. Çdokush duhet gjykuar në bazë të meritës dhe fakteve, sepse po jetojmë në një botë që e ka humbur pikënisjen.”
Epërsia epike 8-centimetërshe e Ramës ndaj presidentit amerikan meriton një vend më vete, jo vetëm në historinë e komunikimit politik, por edhe në analet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pasi shprehet se nuk gjykon sipas gjatësisë, kryeministri ndien nevojën të njoftojë publikun se është më i gjatë se Presidenti Trump.
Nuk është hera e parë që e bën: Rama e ka përmendur vazhdimisht gjatësinë e tij prej 1.98 metrash, madje në një intervistë për ZEITmagazin në korrik 2025 e lidhte atë me një pretendim statistikor për suksesin elektoral të kandidatëve të gjatë. Në verbin e Ramës, centimetri është shndërruar në një lloj argumenti paralel erektoral, ndjesë, elektoral.
Në fund të ditës, Rama e fillon me parime ligjore dhe e mbyll me centimetra epërsie. Kush e ha në mes, natyrisht, është interesi publik. Për ta mbyllur, Rama përmend Trumpin, Sorosin, Kushnerin, Çezarin, Pompeun dhe Iranin, ndërsa për çështjen në fjalë – projektin e Sazanit – ofron zero përgjigje konkrete.
Shqiptarët janë anti-Trump, protestuesit janë instrumente të Iranit, por asnjëra nga këto shpikje nuk ka rëndësi për sa kohë kryeministri i shqiptarëve vazhdon të numërojë plot 198 centimetra mbi këtë tokë.
