
Reshjet e forta të shiut që priten në orët në vijim rrezikojnë të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës, për shkak të gjendjes së kanalizimeve. Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) paralajmëron gjithashtu për vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash në Shkodër dhe Kukës.
Sipas parashikimit, reshjet më intensive priten në veri të vendit, ndërsa në qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan do të ketë reshje mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Në Korçë parashikohen reshje të dobëta deri mesatare, ndërsa në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë të dobëta. Era pritet të jetë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në zonat malore. Përkeqësimi i motit ka sjellë edhe kufizime të lundrimit në Vlorë dhe Durrës, ku janë pezulluar lëvizjet e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit.
Në Vlorë, ndalimi i nisjes së këtyre mjeteve drejt detit të hapur, jashtë Gjirit të Vlorës, ka hyrë në fuqi në orën 08:00 të 18 nëntorit dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të 20 nëntorit. Kapitaneritë kanë kërkuar masa sigurie në porte dhe gatishmëri të shtuar të ekuipazheve, ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë lundrimin normalisht.

