3.59 mln euro dëme ndaj bizneseve nga protestat/ Akti normativ miratohet mes debateve, opozita kërkon kompensim edhe për protestuesit, Braçe: Dhuna nuk është protestë
Qytetarët e dëmtuar në aksidente rrugore nuk do të penalizohen më me pjesën e zbritshme të dëmit, të njohur si franshizë, ndërsa për aksidentet me dëme të vogla materiale kompanitë e sigurimit do të detyrohen të kryejnë pagesat brenda 14 ditëve kalendarike.
Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorik, i hartuar nga Ministria e Financave.
Një nga risitë kryesore lidhet me rritjen e vlerës së dëmeve që trajtohen përmes procedurës së përshpejtuar. Nëse aktualisht kjo procedurë zbatohet për dëme deri në 100 mijë lekë, me ndryshimet e propozuara pragu do të rritet në 250 mijë lekë.
Për këto raste, kompanitë e sigurimit do të kenë detyrimin të kryejnë dëmshpërblimin brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës.
“Detyrimi për pagesën e dëmshpërblimit të kërkesave me vlerë të vogël bëhet brenda 14 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Financave.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e franshizës për palët e dëmtuara. Kjo do të thotë se qytetarëve që kërkojnë kompensim nga sigurimi i detyrueshëm nuk do t’u zbritet më një pjesë e vlerës së dëmit.
“Një risi thelbësore është ndalimi i aplikimit të pjesës së zbritshme ose franshizës ndaj palëve të dëmtuara”, thuhet në projektligjin e Ministrisë Financave.
Ndërkohë, për aksidentet ku personi përgjegjës nuk ka siguracion ose nuk identifikohet, projektligji parashikon vijimin e kompensimit të të dëmtuarve përmes Fondit të Kompensimit.
Ndryshimet përfshijnë edhe rritjen e kufijve minimalë të mbulimit të sigurimit për dëmet ndaj personave dhe pronës. Megjithatë, këto vlera të reja nuk do të zbatohen menjëherë.
Sipas draftit, kufijtë e rinj të kompensimit do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa deri atëherë do të vijojë zbatimi i regjimit kalimtar.
Projektligji synon të përshpejtojë procedurat e dëmshpërblimit, të forcojë mbrojtjen e qytetarëve të dëmtuar në aksidente dhe të rrisë përgjegjësitë e kompanive të sigurimit.
Top Channel