“Ti, a je shqiptar?”/ Djali i ish-kapitenit të Shqipërisë zbulon provokimin nga futbollistët e Kosovës: Më shanë në shqip

Rocco Vata ka zbuluar një episod të veçantë nga ndeshja mes Irlandës dhe Kosovës, e fituar 3-0 nga irlandezët në Dublin.
Djali i ish-kapitenit të Shqipërisë, Rudi Vata, u aktivizua në minutat e fundit të takimit, ndërsa pas ndeshjes tregoi se disa futbollistë të Kosovës u përpoqën ta provokonin në gjuhën shqipe.
“Kur isha në zonë dhe po përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata më thanë disa gjëra. Më pyetën: ‘A je shqiptar?’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘Po, nuk ka problem’. Pas ndeshjes, njëri prej tyre erdhi dhe më kërkoi falje”, rrëfeu Vata për mediat irlandeze.
21-vjeçari, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Irlandën, tregoi gjithashtu se debutimi i tij në stadiumin “Aviva” ishte një moment shumë i veçantë, pasi në tribuna ndodheshin familjarët e tij, përfshirë gjyshen, e cila e ndoqi me shumë emocion.
Për Vatën kjo ishte paraqitja e katërt me kombëtaren irlandeze, por e para në shtëpi.




