Iraku ka rifilluar eksportimin e naftës përmes tubacionit Kirkuk-Ceyhan, për herë të parë pas 12 vitesh, duke hapur një rrugë alternative për furnizimin me naftë në një kohë kur transporti detar në Ngushticën e Hormuzit po përballet me ndërprerje për shkak të luftës që përfshin Iranin.

Ministria e Naftës në Bagdad bëri të ditur se pompimi ka rifilluar të martën, pas përfundimit të testeve teknike dhe operacionale.

Sipas ministrit të Naftës, Basim Mohammed Khudair, fluksi fillestar është përcaktuar në 120 mijë fuçi në ditë, ndërsa synimi është që kapaciteti të rritet gradualisht në 500 mijë fuçi në ditë. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kur pritet të arrihet ky nivel.

Në të njëjtën ditë, Këshilli i Ministrave i Irakut miratoi edhe rekomandimin për rehabilitimin e tubacionit. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje në Najaf, të drejtuar nga kryeministri Ali al-Zeydi, por ende nuk janë publikuar detaje mbi punimet që do të realizohen.

Tubacioni Kirkuk-Ceyhan lidh fushat e naftës në veri të Irakut me portin turk të Ceyhanit, në bregdetin e Mesdheut. Ai ishte nxjerrë jashtë funksionit në vitin 2014, pas sulmeve të përsëritura nga grupi terrorist ISIS.

Rifunksionalizimi i tij i mundëson Irakut të ketë një alternativë tjetër për eksportimin e naftës, përveç terminaleve në jug të vendit, nga ku dërgesat kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Reuters, ndikimi i kësaj rruge në vëllimin e përgjithshëm të eksporteve do të varet nga sasia e naftës në dispozicion dhe nëse dërgesat përmes tubacionit do të shtojnë eksportet ekzistuese apo thjesht do të zëvendësojnë një pjesë të tyre.

Iraku dhe Turqia kishin arritur në gusht një marrëveshje njëvjeçare për vazhdimin e transportit të naftës përmes kësaj linje, ndërsa negociatat për një marrëveshje afatgjatë janë ende në zhvillim.

Kapaciteti i përgjithshëm i tubacionit arrin deri në 750 mijë fuçi në ditë.