Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale që, sipas tij, i ishte rekomanduar klientit të tij rreth dy javë më parë nga një mjek turk.
Në një reagim publik, Ndreca bën me dije se, pas kërkesave të përsëritura të mbrojtjes për të siguruar dokumentacionin mjekësor, vetëm këtë të mërkurë Spitali Memorial ka vënë në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së Veliajt.
Po gjatë ditës së sotme, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar kryebashkiakun dhe, sipas avokatit, kanë arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk: nevojën për ndërhyrje kirurgjikale.
Ndreca pretendon se gjatë dy javëve të fundit operacioni nuk është kryer dhe se Veliaj ka marrë vetëm qetësues për dhimbjet, pa iu nënshtruar një trajtimi tjetër për këmbën.
Ai shton se mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme.
Avokati ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë për vonesën dhe pasojat që ajo mund të ketë sjellë në gjendjen shëndetësore të Veliajt.
“Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale! Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?”, shprehet Ndreca.
Në përfundim, ai thekson se privimi nga liria nuk duhet të cenojë të drejtën e një personi për të marrë kujdes shëndetësor në kohën e duhur.
Reagimi i plotë i Plarent Ndrecës:
Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!
Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?
Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur.
