E dyta në botë, Toçi zbulon prapaskenat e suksesit të Lara Colturit, ja çfarë ndodhi në Finlandë

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm në garën e zhvilluar në Levi të Finlandës, duke u renditur e dyta në botë.
Kjo arritje u komentua në studion e “Takohemi n’Vizion” nga presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, i cili e cilësoi rezultatin të jashtëzakonshëm, duke theksuar se nuk pritej që Lara të arrinte kaq shpejt në nivele të tilla.
Ai u ndal edhe te mbështetja që skiatorja merr në Finlandë, ku flamuri shqiptar, sipas tij, ishte kthyer në simbol të përkrahjes për Larën.
“E paimagjinueshme që do të arrinim kaq shpejt, falë një vajze që vërtet është me origjinë italiane, por në botë njihet si shqiptarja. Në Finlandë ishte kthyer në biznes flamuri shqiptar. Shitej në mbështetje për Larën”, u shpreh Toçi.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive shpjegoi gjithashtu se në këtë sport diferencat mes garuesve janë shumë të vogla dhe se edhe një sekondë mund të bëjë ndryshimin mes pozicioneve në renditje.
“Në garën e skive, një sekondë do të thotë shumë. Pesë vendet e para ndahen me të qindtat e sekondës. Pra, mos të çuditemi që edhe në vend të pestë të dalim, kemi një arritje të shkëlqyer”, tha ai.
Toçi zbuloi edhe detaje nga organizimi i skuadrës që shoqëron skiatoren shqiptare gjatë garave ndërkombëtare. Sipas tij, ekipi përbëhet nga nëntë persona, të cilët kujdesen për përgatitjen teknike dhe fizike, por edhe për aspektet e tjera të aktivitetit të saj.
“Skuadra e Larës bëhet nga nëntë elementë që lëvizin me të. Katër janë trajnerë, mes këtyre edhe prindërit e Larës, që janë kampionë. Këta janë trajnerët teknikë, përveç tyre është menaxheri i mediave, masazhatori…”, u shpreh Toçi.
Gjatë intervistës me moderatoren Fjodora Fjora, ai ndau edhe një episod nga një garë e zhvilluar vitin e kaluar në Kanada, ku kushtet e vështira atmosferike ndikuan në performancën e Larës.
“Rastësi na ka ndodhur vetëm një herë vjet në Kanada. Kur hipëm në majë të malit, filloi stuhia. Nuk ishim përgatitur. Kishim skitë e gabuara dhe Lara gaboi me katër sekonda”, tregoi Elvis Toçi.
/vizionplus.tv



