E mërkurë, 18 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rregullat e reja, Shqipëria ndalon me ligj cigaret elektronike dhe qeset me nikotinë
Lajme

Rregullat e reja, Shqipëria ndalon me ligj cigaret elektronike dhe qeset me nikotinë

Cigaret elektronike njëpërdorimshme, të njohura si “disposable vapes”, mund të dalin nga tregu shqiptar nëse miratohet projektligji i ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Nisma e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë parashikon një sërë kufizimesh për produktet që përmbajnë duhan dhe nikotinë, duke përfshirë edhe mënyrën e shitjes dhe hapësirat ku lejohet përdorimi i tyre.

Një nga ndryshimet kryesore është ndalimi i vendosjes në treg të vape-ve njëpërdorimshme. Këto janë pajisje të gatshme për përdorim, me bateri të integruar dhe lëng të parapërgatitur, të cilat hidhen pasi përmbajtja e tyre përfundon. Ato tregtohen në shije të ndryshme, nga frutat dhe menteja deri te aromat e ëmbëlsirave, dhe kanë fituar përdorim të gjerë, veçanërisht mes të rinjve.

Megjithatë, projektligji nuk parashikon ndalimin automatik të të gjitha cigareve elektronike. Pajisjet e rimbushshme do të vijojnë të tregtohen, por do t’u nënshtrohen rregullave dhe kufizimeve të përcaktuara në kuadrin e ri ligjor.

Ministria e Shëndetësisë e argumenton masën me rrezikun e krijimit të varësisë nga nikotina, por edhe me pasojat mjedisore që shkaktojnë pajisjet njëpërdorimshme. Bateritë, pjesët elektronike dhe materialet plastike të tyre krijojnë mbetje që janë të vështira për t’u ricikluar.

Kufizime të reja për qeset me nikotinë

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për qeset me nikotinë, të cilat përdoren duke u vendosur mes buzës dhe mishrave të dhëmbëve, pa pasur nevojë për djegie apo avullim.

Sipas projektligjit, nuk do të lejohet tregtimi i produkteve që përmbajnë më shumë se 4 miligramë nikotinë për një qese. Ky kufi është propozuar nga autoritetet shqiptare me synimin për të ulur rrezikun e varësisë.

Relacioni sqaron se ky nivel nuk buron nga një detyrim i drejtpërdrejtë i legjislacionit të harmonizuar evropian, por është një masë e parashikuar nga autoritetet vendase.

Bllokohet shitja online e produkteve të duhanit

Një tjetër ndërhyrje lidhet me mënyrën se si konsumatorët mund të blejnë cigare dhe produkte të tjera me nikotinë. Projektligji parashikon ndalimin e shitjeve online brenda Shqipërisë, si dhe kufizime për tregtimin ambulant, makinat automatike të shitjes dhe sistemet e vetëshërbimit.

Sipas argumentimit të Ministrisë së Shëndetësisë, këto forma tregtimi e vështirësojnë kontrollin e moshës së blerësve dhe rrisin mundësinë që produktet të shiten edhe te personat nën 18 vjeç.

Për shitjet ndërkufitare në distancë parashikohen rregulla të veçanta, ku përfshihen detyrime për regjistrimin dhe verifikimin e moshës së konsumatorëve.

Ku do të ndalohet duhanpirja?

Projektligji synon të zgjerojë edhe hapësirat ku ndalohet përdorimi i produkteve të duhanit dhe atyre që çlirojnë aerosol, përfshirë cigaret elektronike.

Kufizimet do të shtrihen në disa ambiente të jashtme, si këndet e lojërave dhe zonat sportive. Po ashtu, parashikohet ndalimi i duhanpirjes në një perimetër prej 10 metrash nga institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Nisma përfshin gjithashtu masa më të forta kundër reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit. Në listën e praktikave që synohet të kufizohen përfshihen ofertat promocionale, dhuratat, kuponët e zbritjes dhe shpërndarja e mostrave falas.

Kur pritet të zbatohen ndalimet dhe sa janë gjobat?

Sipas nenit 47 të projektligjit, nëse miratohet nga Kuvendi dhe botohet në Fletoren Zyrtare, ligji do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit.

Ndërkohë, neni 45 parashikon një periudhë kalimtare prej 12 muajsh për përshtatjen e prodhuesve dhe importuesve, si dhe për qarkullimin e stokut ekzistues. Zbatimi i këtyre afateve për produktet që do të ndalohen do të varet nga formulimi përfundimtar i dispozitave.

Projektligji parashikon edhe një sistem gjobash që variojnë nga 5 mijë lekë për shkelje individuale të ndalimit të duhanpirjes, deri në 5 milionë lekë për shkelje të caktuara nga prodhuesit dhe importuesit.

Në rast miratimi, kuadri i ri do të zëvendësojë ligjin e vitit 2006 për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, duke vendosur rregulla të reja për cigaret tradicionale, ato elektronike dhe produktet e tjera me nikotinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.