Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja dhe Irani rikthejnë sulmet reciproke, nën zjarr edhe shtetet e Gjirit dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit


Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, me sulme reciproke dhe goditje që po prekin edhe aleatët amerikanë në Gjirin Persik.

Bahreini dhe Kuvajti njoftuan të mërkurën se kishin interceptuar armë të lëshuara nga Irani, pas sulmeve amerikane ndaj ishullit strategjik të Qeshmit, në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, një anije në pronësi të kompanisë shtetërore të naftës së Emirateve të Bashkuara Arabe, ADNOC, u godit në Ngushticën e Hormuzit, sipas CBS.

Sipas kompanisë, një pjesëtar i ekuipazhit rezulton i zhdukur, ndërsa 11 persona janë plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Një zyrtar amerikan i cilësoi sulmet e së martës ndaj ishullit Qeshm si një përgjigje mbrojtëse ndaj forcave iraniane, të cilat, sipas tij, kishin shënjestruar personelin dhe asetet amerikane në rajon.

Goditjet amerikane ndodhën disa orë pasi Irani deklaroi se kishte shënjestruar për herë të tretë brenda më pak se një jave një instalim radarësh amerikanë në Bahrein. Autoritetet amerikane thanë se të gjitha këto sulme ishin interceptuar.

 

Irani mohon përfshirjen në një komplot të dyshuar në Maqedoninë e Veriut

Irani hodhi poshtë të mërkurën si “krejtësisht të pabaza” pretendimet e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut se kishin zbuluar një komplot për vrasjen e një personi në Greqi, të mbështetur nga Teherani.

Ambasada iraniane në Greqi i cilësoi akuzat si “të pabazuara” dhe pjesë të një “fushate të konsumuar të regjimit izraelit dhe aparatit të tij të propagandës dhe luftës psikologjike për të diskredituar Iranin”.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë së Veriut njoftoi të martën se kishte parandaluar një komplot të dyshuar dhe kishte shkatërruar një rrjet të lidhur me Iranin, në bashkëpunim me shërbimet greke të inteligjencës.

Sipas autoriteteve, katër të dyshuar janë në paraburgim dhe një tjetër ndodhet në arrest shtëpie në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, zyrtarët grekë thanë se një i dyshuar ishte arrestuar në Greqi dhe më pas i ishte dorëzuar autoriteteve maqedonase.

Disa media greke, mes tyre transmetuesi shtetëror ERT dhe gazeta Kathimerini, raportuan se objektivi i dyshuar i komplotit ishte një drejtues i lindur në Izrael, i një kompanie izraelite me seli në Greqi.

Sipas Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, rrjeti përfshinte “aktorë ndërmjetës” të lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, të cilin agjencia e cilësoi si bashkëpunëtor të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.

Agjencia pretendon se rrjeti, “nën udhëzimet e drejtpërdrejta të shtetasit iranian, ndërmori veprime përgatitore logjistike për kryerjen e një akti terrorist/vrasjeje ndaj një personi në Greqi”.

 

IAEA: Marrëveshja bërthamore SHBA-Arabi Saudite, shumë e kënaqshme

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, e cilësoi të mërkurën si “shumë të kënaqshme” marrëveshjen që mund t’i mundësojë Arabisë Saudite zhvillimin e një programi bërthamor civil me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshja, e shpallur në korrik, ka ngritur pikëpyetje lidhur me rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore.

“Është një rezultat shumë i kënaqshëm që kemi arritur me këtë marrëveshje”, u shpreh Grossi për gazetarët, pas hapjes së mbledhjes së Bordit të Guvernatorëve të IAEA-s.

Ai tha se, nëse dhe kur Arabia Saudite të nisë zhvillimin e energjisë bërthamore, agjencia do të jetë e pranishme për të mbikëqyrur procesin.

Në deklaratën e tij hapëse, Grossi bëri të ditur se SHBA-ja dhe Arabia Saudite i kishin kërkuar IAEA-s në tetor të ndërmerrte hapat e nevojshëm për zbatimin e masave të mbrojtjes dhe verifikimit të marrëveshjes.

Sipas tij, agjencisë do t’i sigurohet informacion dhe akses në çdo objekt në Arabinë Saudite që lidhet me konvertimin, pasurimin, prodhimin e karburantit bërthamor dhe ripërpunimin.

Grossi mirëpriti “qasjen e hapur dhe transparente dhe angazhimin e të dy qeverive me shtetet anëtare dhe sekretariatin për këtë çështje”.

Ai shtoi se Arabia Saudite kishte rënë dakord edhe për masa shtesë verifikimi, në baza vullnetare.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti Trump deklaroi se përparimi i saj do të kushtëzohej nga aderimi i Arabisë Saudite në Marrëveshjet e Abrahamit, që do të nënkuptonte normalizimin zyrtar të marrëdhënieve me Izraelin.

 

Prania detare amerikane në Lindjen e Mesme, më e madhe se në kulmin e luftës

Prania detare e ushtrisë amerikane në Gjirin e Omanit, Detin Arabik, Detin e Kuq dhe Mesdhe është aktualisht më e madhe se ajo e dislokuar gjatë operacionit “Epic Fury”, në kulmin e përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit.

Ky është përfundimi i një analize të të dhënave të hapura të publikuar nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS), një institut i pavarur kërkimor në Izrael.

Ushtria amerikane konfirmoi të hënën se në rajon ndodhen tashmë tri grupe sulmuese aeroplanmbajtësesh, pas mbërritjes së fundit të anijes USS Theodore Roosevelt. Ajo iu bashkua USS George H.W. Bush dhe USS George Washington, së bashku me një numër të madh shkatërruesish dhe anijesh të tjera ushtarake.

Megjithatë, prania e tri aeroplanmbajtëseve pritet të jetë e përkohshme, pasi grupet sulmuese ndërrohen periodikisht në rajon.

Sipas hartës interaktive të publikuar nga INSS, SHBA-ja ka dislokuar 12 shkatërrues në Detin Arabik. Njëri prej tyre duket se është pozicionuar brenda Gjirit të Omanit, në lindje të Ngushticës së Hormuzit.

inss-us-military-ships-mideast-iran-november-2026.png

Harta tregon se aktualisht nuk ka anije luftarake amerikane në Gjirin Persik apo në hyrjen e tij, Ngushticën e Hormuzit, kontrollin e së cilës e pretendojnë si Irani, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë ushtarak iranian deklaroi në fund të tetorit se regjimi nuk do të lejojë në asnjë rrethanë praninë e anijeve ushtarake amerikane në Gjirin Persik.

“Presidenti amerikan duhet të ëndërrojë të shohë forcat e armatosura të hyjnë në Gjirin Persik. Ai do ta marrë këtë ëndërr me vete në varr”, citoi televizioni shtetëror iranian të ketë thënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Ali Abdollahi.

Harta e INSS tregon gjithashtu dy shkatërrues amerikanë në Detin e Kuq, ku rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë zgjeruar së fundmi kontrollin mbi vijën bregdetare të Jemenit pranë ngushticës Bab el-Mandeb. Kjo situatë përbën një kërcënim edhe për eksportet saudite të naftës.