Kompania amerikane e automjeteve Ford planifikon që në vitin 2027 të sjellë në treg një kamionçinë të re të segmentit të mesëm, e cila do të ketë një çmim më të volitshëm dhe do të orientohet drejt tregjeve jashtë Shteteve të Bashkuara.
Modeli i ardhshëm do të vendoset në hierarki poshtë Ford Ranger dhe do të synojë të përballet me kamionçinat e lira të prodhuesve kinezë, të cilët po zgjerojnë praninë e tyre në Amerikën Latine, Azinë Juglindore, Afrikën e Jugut dhe Australi.
Të lidhura
None found
Drejtori ekzekutiv i Ford, Jim Farley, ka njoftuar se kostot bazë të materialeve për këtë model pritet të rezultojnë 20 për qind më të ulëta në krahasim me Ranger-in aktual.
Sipas tij, qëllimi është që automjeti i ri të sjellë klientë të tjerë drejt markës Ford, duke ofruar një alternativë më të leverdishme në tregjet ndërkombëtare.
Nuk është konfirmuar ende se ku do të prodhohet kamionçina e re, por ndër opsionet që po diskutohen janë fabrikat e Ford në Tajlandë, Afrikën e Jugut dhe Argjentinë.
Gjithashtu, nuk hidhet poshtë mundësia që prodhimi të realizohet edhe në Kinë, përmes bashkëpunimit të Ford me kompaninë Jiangling.







