Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi në Kuvend prioritetet e projektbuxhetit 2027, duke theksuar se rritja e financimit përkthehet në më shumë siguri për qytetarët, mbështetje për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shërbime më cilësore në territor.

Buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme arrin në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Një nga prioritetet kryesore është politika e re e pagave, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë. Rreth 8,174 punonjës policie të gradës inspektor do të përfitojnë një rritje prej 23,600 lekësh në muaj, ose 27%, ndërsa për gradat e tjera rritja do të jetë 15 mijë lekë në muaj, nga 13% deri në 17%, duke përfshirë vjetërsinë në punë.

Krahas përmirësimit të trajtimit financiar, 2.8 miliardë lekë do të shkojnë për investime të brendshme, ndërsa 1.85 miliardë lekë janë parashikuar për projektin “Smart City”, që synon fuqizimin e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, parandalimin dhe luftën kundër paligjshmërisë. Në vitin 2027 parashikohet gjithashtu nisja e investimit për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Demo theksoi se mbështetja më e madhe për Policinë duhet të shoqërohet me profesionalizëm dhe llogaridhënie, duke veçuar reformën në Akademinë e Sigurisë, me mbështetjen e institucioneve homologe italiane, si një hap të rëndësishëm drejt standardeve më të larta të formimit policor.

Në fokus të buxhetit është edhe pushteti vendor. Transferta nga shteti për bashkitë do të arrijë në 49.4 miliardë lekë, me rritje 4%, ndërsa Granti i Performancës do të vijojë me 200 milionë lekë për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Reforma Territoriale, decentralizimi dhe forcimi i kapaciteteve financiare e administrative të bashkive do të jenë gjithashtu prioritete për vitin 2027.

Ministri u ndal edhe te rindërtimi, duke bërë të ditur se 1.8 miliardë lekë nga buxheti i vitit 2026 do t’i akordohen Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e procesit, ndërsa i njëjti nivel mbështetjeje financiare për bashkitë e prekura nga tërmeti parashikohet edhe për vitin 2027.

Në përfundim, Demo theksoi se vlera e këtij buxheti matet mbi të gjitha me ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve, më shumë siguri publike, shërbime më cilësore dhe institucione më pranë tyre.

Fjala e plotë e ministrit Demo:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë,

Së pari është përmendur gjatë gjithë ditës sot, që ky është buxheti më i madh që ky parlament do të votojë, por e rëndësishme është arsyeja pse ky buxhet është më i madhe. Patjetër ajo fillon me rritjen reale që ne tashmë kemi për Produktin e Brendshëm Bruto, investimet e huaja në nivele të qëndrueshme, turizmi një sektor që vazhdon dhe zgjerohet me ritme të shpejta, inflacioni nën kontroll, stabilitet fiskal dhe patjetër borxhi në parametra optimal. Por, patjetër që nuk është e rëndësishme vetëm sa shpenzojmë, por çfarë ndryshon për qytetarin. Duke u referuar se çfarë mbulon Ministria e Brendshme, që është siguria publike dhe Pushteti Vendor, të cilat nuk janë dy fusha që nuk përkojnë më njëra-tjetrën, sepse siguri publike do të thotë edhe se si funksion një qytet, edhe hapësirat publike dhe shërbimet e qytetarëve dhe patjetër sa afër janë institucionet pranë tyre.

Siguria publike është shtrati kryesor i çdo zhvillimi qëndrueshëm ekonomik dhe në mënyrë absolute ajo ofron në të njëjtën kohë dhe të gjithë kushtet e duhura për sa i përket dhe zhvillimit të sektorëve specifikë sidomos duke iu referuar turizmit. Prandaj buxheti matet me ndryshimet që sjell në jetën e qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb