Gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po bëhet gjithnjë e më konkurruese, teksa afrohet përfundimi i mandatit të Antonio Guterres. Në mesin e kandidatëve që synojnë drejtimin e organizatës është edhe diplomati argjentinas Rafael Grossi, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Sipas sondazhit të fundit paraprak në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Grossi renditet në vendin e dytë, pas kandidates nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan. Diplomati argjentinas ka marrë nëntë vota inkurajuese dhe katër kundërshtuese, ndërsa në garë janë edhe tetë kandidatë të tjerë.
Grossi ka krijuar një profil të rëndësishëm në diplomacinë ndërkombëtare që prej marrjes së drejtimit të IAEA-së në vitin 2019. Ai ka qenë personalisht i angazhuar në misionet e inspektimit të centraleve bërthamore në Zaporizhzhia dhe Çernobil, në Ukrainë, pas nisjes së pushtimit rus në vitin 2022.
Angazhimi i tij në menaxhimin e krizave dhe negociatat për sigurinë bërthamore i ka dhënë agjencisë një rol më të spikatur në diplomacinë ndërkombëtare. Megjithatë, qëndrimet e tij gjatë konfliktit në Ukrainë kanë shkaktuar edhe kritika nga Moska.
Pavarësisht përvojës diplomatike, kandidatura e Grossit përballet me disa pengesa politike. Një prej tyre lidhet me perceptimin për afërsinë e tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin argjentinas Javier Milei.
Sipas raportimeve, Kina ka shprehur rezerva për kandidaturën e diplomatit argjentinas, për shkak të marrëdhënieve të tij me Uashingtonin, dhe mund të mbështesë kandidaten Rebeca Grynspan.
Edhe Irani ka kritikuar drejtimin e IAEA-së nga Grossi, duke e akuzuar agjencinë për njëanshmëri në raportimet mbi programin bërthamor iranian. Teherani ka kundërshtuar veçanërisht vlerësimet e saj mbi rezervat e uraniumit të pasuruar të vendit.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në fatin e kandidaturës është mekanizmi i zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm. Për të marrë këtë post, kandidati duhet të sigurojë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të mos përballet me veton e asnjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm: SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe.
Ndërkohë, marrëdhëniet politike të Grossit me Javier Milein dhe mbështetja e mundshme nga Donald Trump kanë hapur diskutime mbi orientimin që mund të marrë OKB-ja në rast të zgjedhjes së tij.
Sipas analistëve, Grossi shihet si një kandidat që mund të mbështesë reforma të thella në organizatë, përfshirë reduktimin e burokracisë dhe riorganizimin e disa agjencive. Megjithatë, kjo qasje ka ngritur shqetësime për ndikimin që ndryshimet e tilla mund të kenë në prioritetet tradicionale të OKB-së, si zhvillimi, barazia dhe mbrojtja e së drejtës ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, një fushatë ndërkombëtare e organizatave të shoqërisë civile po kërkon që në krye të OKB-së të zgjidhet për herë të parë një grua, në 81 vitet e historisë së organizatës.
Mandati i Antonio Guterres përfundon më 31 dhjetor 2026, ndërsa gara për pasuesin e tij pritet të jetë një proces me rëndësi të veçantë diplomatike dhe politike për të ardhmen e organizatës.


