
Deputeti i opozitës Fatmir Mediu kërkoi sot auditim të sistemeve të sigurisë në vend të cilat mbizotërohen nga teknologjia kineze.
Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i Partisë Republikane tha se kjo gjë bie ndesh me interesat kombëtare dhe ato të NATO-s.
Mediu dha gjithashtu alarmin për shpopullimin e vendit.
“Siguria nuk është thjesht dhe vetëm mbrojtje, është teknologji, energji dhe infrastrukturë kritike. Pjesa më e madhe e saj dominohet nga teknologji kineze që bie ndesh me interesat tona kombëtare dhe të NATO-s. Kemi detyrë emergjente të bëjmë një auditim sa i përket kësaj situate për sigurinë tonë dhe të vendeve anëtare të NATO-s. Largimi i shqiptarëve është kërcënim sigurie se është problem shumë i madh social, politik dhe ekonomik. Një vend që plaket nuk ka të ardhme e jo më siguri. Ka më pak lindje se 100 vjet më parë. Kolegët të dëgjojnë zërin e atyre që janë në shesh. Duhet të shkojmë në një zgjidhje politike: e para, dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit, formimi i një qeverie kujdestare, sistem me lista të hapura dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në 2. Historia e diktaturës nuk është e largët, por e ndjeshme dhe e prekshme”, tha Mediu.