
Kombëtarja A e Shqipërisë e mbylli muajin nëntor me dy fitore, ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, pa pësuar asnjë gol. Këto rezultate siguruan vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League. Rezultatet ishin në qendër të emisionit të radhës “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV, ku u analizua edhe ecuria e kombëtares shqiptare gjatë këtij muaji.
Emisioni iu kushtua suksesit të ekipeve kombëtare gjatë muajit nëntor, një periudhë e vlerësuar si mjaft e suksesshme për futbollin shqiptar, me arritje të rëndësishme në kompeticionet europiane. Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin gazetarët sportivë Vilma Masha dhe Ylli Aga, si edhe trajneri i Kombëtares U-19, Fatjon Tafaj.
Të ftuarit analizuan paraqitjet e skuadrave, ecurinë pozitive dhe rëndësinë e këtij suksesi për futbollin shqiptar. Ata u ndalën edhe te Kombëtarja U-21, që zhvilloi dy ndeshje miqësore në nëntor, duke fituar 3-1 ndaj Luksemburgut dhe barazuar pa gola me Spanjën, në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027.
Në emision u diskutua edhe përcaktimi i 16 ekipeve finaliste të turneut, ndërsa shorti për fazën finale do të hidhet më 26 nëntor, në orën 18:30, në Beograd. Suksesi i Kombëtares U-19 ishte një tjetër temë e rëndësishme, pasi skuadra zhvilloi një raund kualifikues spektakolar, duke regjistruar dy fitore me rezultatin 4-0 dhe siguruar kualifikimin në raundin e tretë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19, në Ligën A. Trajneri Fatjon Tafaj ndau në studio vlerësimet për paraqitjet e skuadrës dhe objektivat e mëtejshëm, teksa Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ëndrrës europiane.
Vëmendje mori edhe Kombëtarja U-17, e cila siguroi kualifikimin në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, në Ligën A, dhe në muajin mars do të ketë mundësinë të luajë për një vend në fazën finale të këtij kompeticioni. Gjatë emisionit u diskutua gjithashtu projektligji i Qeverisë për sponsorizimet në art, kulturë dhe sport.
Të ftuarit analizuan disa prej çështjeve që lidhen me këtë nismë, përfshirë tavanin prej 20 milionë eurosh, centralizimin e procesit të sponsorizimit, mungesën e një ndarjeje të qartë të fondeve për sportin dhe futbollin, si edhe shqetësimet për mënyrën se si do të funksionojë skema e re dhe rrezikun që ajo të kthehet në një buxhet të dytë shtetëror.
Në fund, u prezantua edhe aktiviteti promovues i FSHF-së për Kampionatin Europian U-21 2027, në kuadër të Maratonës së Tiranës, ku u përcoll mesazhi për eventin e madh europian që Shqipëria do të mirëpresë në qershorin e vitit të ardhshëm. “Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet vendase dhe projektet që kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e futbollit në Shqipëri.
